Aksidentohen fëmijët serbë të dërguar për pushime në Zlatibor
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Aksidentohen fëmijët serbë të dërguar për pushime në Zlatibor nga krimineli Radoiçiq
13 orë më parë
Linku u kopjua

Gjashtë persona, prej tyre katër fëmijë nga Kosova, kanë pësuar lëndime si pasojë e një aksidenti sot në autostradën e Ibrit, në qytetin Magliq në Serbi.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 13:00, kur shoferi i veturës (35) me targa të Rashkës, i cili po lëvizte nga Rashka në drejtim të Kralevës, kishte dalë në anën e kundërt të rrugës, duke u përplasur me autobusin që po transportonte fëmijë nga Kosova që ktheheshin nga Zlatibori, sipas MPB të Serbisë.

Katër fëmijë, të moshave 9-14 vjeç, kanë pësuar lëndime të lehta. Lëndime kanë pësuar edhe dy persona, njëri prej tyre shoferi i veturës, i cili ka fraktura, por jashtë rrezikut për jetën.

Të lënduarit janë transportuar në spitalin e Kralevës, njoftoi policia e Serbisë.  Kirurgu i fëmijëve Ivan Filipoviq tha se tre fëmijë janë mbajtur për vëzhgim dhe se një tjetër është liruar në shtëpi. Shoferi i lënduar rëndë është dërguar në repartin e kirurgjisë në spitalin e Kralevës, pasi zjarrfikësit e kanë nxjerrë nga vetura.

“Pas diagnozës, një person është dërguar për mjekim shtëpiak, ndërsa personi tjetër me lëndime të rënda fizike, por jo në rrezik për jetën, është vendosur në repartin e mjekimit intensiv. Operacioni do të kryhet në fushën e ortopedisë”, tha kirurgu Milan Maksimoviq.

Shkolla fillore “Branko Radiçeviq” në Mitrovicë, në një postim më 9 dhjetor në Facebook, kishte bërë të ditur se gjatë fundjavës, 300 nxënës të shkollave fillore shijuan bukuritë e Zlatiborit. Në postim thuhet se “aksioni humanitar ishte sponsorizuar nga Milan Radoiçiq për nxënësit e shkollave fillore në Mitrovicë, Zveçan, Novo Bërdo, Gjilan, Viti Kamenicë dhe Anamoravë”.

“Me një sërë aktivitetesh të pasura dhe kuptimplote, ky aksion mori kuptimin e tij, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jetojnë fëmijët tanë, është për t'u vlerësuar dhe ideja e organizatorëve dhe sponsorëve për t'i larguar ata nga ky realitet për një kohë të shkurtër”, thuhet në postim.

Milan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist më 23 shtator 2023 në Banjska që kishte për qëllim aneksimin e veriut. Ai është vënë në kërkim nga Interpoli, por vazhdon të shëtitet i lirë në Serbi dhe kjo e fundit nuk ka marrë vendim për ekstradimin e tij.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024