Analisti serb: Sanksionet për Serbinë të paimagjinueshme
Lexohet për: 2 min.
Srdjan_Cvijiq
1 vit më parë
Linku u kopjua

Sërgjan Cvijiq nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, duke komentuar agresinin e Serbisë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ka thënë se potenciali për ripërtëritje të konfliktit në Kosovë, por edhe në Bosnje-Hercegovinë, ekziston ende.

Ai në një intervistë për gazetën serbe “Nova”, ka thënë se megjithëse shumica e popullsisë në rajon është krejtësisht e papërgatitur për një luftë të re, nuk duhet të anashkalohet fakti se konfliktet më të vogla sikurse ai në Banjskë, në një farë mënyre e normalizojnë gradualisht dhunën dhe se sapo të dalë jashtë kontrollit, ajo vështirë të ndalet.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar përgjigje nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, lidhur me sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në territorin e Kosovës.

Cvijiq ka potencuar se nëse konstatohet se Vuçiqi është i përfshirë drejtpërdrejt në sulmin në Banjskë, pasojat për popullin serb do të jenë të pallogaritshme.

“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për sanksione, por në fund të fundit edhe për rrezikimin e drejtpërdrejtë të pozitës negociuese ndërkombëtare të Serbisë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe procesin e zgjerimit të BE-së. Në një kohë shumë të shkurtër për fajin e regjimit do të ktheheshim në gjendjen katastrofike që jetonim në vitet ’90”, ka shtuar Cvijiç. BE-ja tashmë ka “skicuar” disa nga “masat ndëshkuese” ndaj Serbisë për shkak të dyshimeve se është përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit.  Vendosja e “masave ndëshkuese” ndaj Serbisë varet nga bashkëpunimi i plotë dhe i pakushtëzuar i presidentit serb në kryerjen e hetimeve në lidhje me sulmin.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025