Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot nuk sheh ndonjë zgjidhje më të mirë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi sesa plani franko-gjerman.
Ambasadori francez në emisionin “FIVE ka theksuar se ky plan ka avantazhe për të dyja vendet, teksa thotë se ky propozim siguron gjërat për Kosovën që i ka kërkuar me vite.
Ai ka përsëritur kërkesën e vendeve të QUINT-it duke thënë se edhe Franca pret nga Kosova të kryejë detyrat e saj dhe të procedojë tutje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ai thotë se drafti për Asociacionin është një draft i mirë duke potencuar se këtë e mendon edhe qeveria e Kosovës pasi ende nuk ka ndonjë propozim tjetër për këtë draft nga ana e tyre.
Po ashtu edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është obligim i Kosovës dhe si i tillë duhet të implementohet.
“Është obligim i Kosovës nga Parlamenti, dhe Kosova dhe Serbia janë dakorduar që të implementojnë marrëveshjen e Brukselit dhe kjo është mënyra për të arritur normalizimin e marrëdhënieve sepse i lexoni marrëveshjet është një gjë që Kosova duhet ta zbatojë Asociaiconin dhe hapat e tjerë duhet të përcjellen nga Serbia”, ka deklaruar Rohde./RTV Dukagjini