Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës duke i caktuar masën një muaj paraburgim të pandehurit P. B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e mbetur në tentativë.
I pandehuri dje rreth orës 09:30 në Gjakovë, me dashje ka tentuar të privojë nga jeta Gj. B., ku pas një fjalosjeje për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, i pandehuri nxjerr pistoletën Sig Sauer, kalibër 9x19 mm dhe shtie në drejtim të dëmtuarit duke e qëlluar në pjesë vitale të trupit.
Gjyqtari i procedurës paraprake Ilir Rashkaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit pasi me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, i ndikimit në prova dhe rreziku i ikjes.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.