Ambasada e Francës në Kosovë, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave dhe rritjen e sigurisë publike. Në kuadër të kësaj nisme u prezantua edhe një aplikacion përmes të cilit gratë mund të raportojnë ngacmimet seksuale apo situatat e pasigurisë në hapësirat publike, raporton KosovaPress.
Po ashtu, në Institutin Francez sot është hapur edhe një kënd i letërsisë feministe, si dhe një kënd tjetër që përfaqëson gruan.
“Diplomacia feministe është një pjesë integrale e diplomacisë franceze. Ajo zhvillohet në drejtime të ndryshme. Së pari, brenda vendit, sepse duhet të bëjmë detyrat tona. Kjo do të thotë të sigurohemi që koleget e reja gra të kenë qasje të barabartë në pozita më të larta.. Ne kemi një qëllim që 40 përqind e ambasadorëve tanë për herë të parë të jenë gra, dhe e kemi arritur këtë qëllim në vitet e fundit.. Ne kemi disa programe për të ndihmuar koleget gra të zhvillojnë karrierën e tyre. Gjithashtu, brendshëm, bëhet fjalë për një politikë zero-tolerancë. Në ambasadë kemi pika kontakti, në Ministri kemi linja të këshillimit ku çdo koleg mund të telefonojë për ndihmë nëse ndodh një situatë e sikletshme, ngacmim, ngacmim seksual apo qëndrime seksiste. Emri i programit është Zero Tolerance, dhe e marrim shumë seriozisht. Çdo ambasadë duhet të ketë një pikë kontakti”, tha Guerot.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se komuna po punon për fuqizimin e grave përmes arsimit, kulturës dhe mbështetjes institucionale.