Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar lidhur me protestën që po zhvillohet prej 25 ditësh në Tiranë, duke shprehur shqetësimin e tij për pasojat që, sipas tij, këto zhvillime mund të kenë për Shqipërinë.
Në një deklaratë për mediat, Ahmeti vlerësoi rolin historik të Shqipërisë për shqiptarët në rajon, veçanërisht për Kosovën, duke theksuar se vendi ka qenë një faktor kyç në proceset e lirisë dhe shtetformimit të saj.
Sipas Ahmetit, turizmi, si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare, mund të ndikohet negativisht nga pasiguria dhe imazhi që krijohet jashtë vendit. Ai përmendi gjithashtu efektet që, sipas tij, mund të kenë protestat mbi investitorët vendas dhe të huaj.
“Po goditet dega kryesore e industrisë, turizmi; po goditen investimet e huaja dhe vendore. Asnjë investitor nuk rrezikon kapitalin e tij aty ku ka pasiguri”, deklaroi kreu i BDI-së.Ai u bëri thirrje qytetarëve të analizojnë me kujdes pasojat e zhvillimeve politike, duke paralajmëruar se tensionet dhe pasiguria mund të dëmtojnë jo vetëm Shqipërinë, por edhe interesat e shqiptarëve në rajon.