Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës, Arbër Tolaj, ka deklaruar se drejtimi i ri i partisë nga Ardian Gjini do të sjellë ndryshime pozitive dhe organizim më të fuqishëm politik.
Tolaj në “Intervistën Zgjedhore” të KosovaPress ka prezantuar prioritetet kryesore të programit politik të Aleancës për zgjedhjet e 7 qershorit. Ai vlerësoi lart figurën e Ardian Gjinit, duke thënë se ai ka përvojë të gjatë institucionale dhe politike, që mund t’i sjellë partisë dyfishim të numrit të deputetëve.
Duke komentuar ndryshimin e emrit të AAK-së në “Aleanca”, Tolaj tha se ky vendim është marrë në mënyrë zyrtare nga organet drejtuese të partisë dhe përfaqëson një koncept më të gjerë politik.
“Është bërë një ndryshim, e kemi lënë zyrtarisht të ndryshohet në Kuvend. Janë bërë propozimet të cilat janë aprovuar edhe nga Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës, po ashtu edhe nga Kryesia dhe strukturat e larta. Kjo nënkupton se Aleanca është e gjithë popullit, është e Kosovës, ndërsa ajo pjesa e ardhmërisë do të thotë se ardhmëria është vetë Kosova dhe pjesë e saj. Prandaj kjo ndoshta edhe është një lloj reflektimi pak më ndryshe, mirëpo Aleanca do të mbetet Aleancë dhe vetë fakti që nuk është ndryshuar emri nënkupton këtë”, shtoi Tolaj.Ai theksoi se strukturat e Aleancës janë të organizuara dhe të konsoliduara në të gjitha nivelet, duke shtuar se fushata zgjedhore do të zhvillohet sipas një plani të qartë organizativ.
“Në Aleancë asnjëherë, në asnjë takim, nuk është diskutuar nëse bëhet fjalë për të kaluar pragun apo jo. Ne flasim me shifra dyshifrore, do ta quaja, për numër të deputetëve. Këtë e them dhe e bazoj në faktin se Aleanca është shumë mirë e organizuar dhe e konsoliduar. Duke filluar nga niveli më i ulët i strukturave, pra nëndegëve, pastaj degëve, si dhe në nivelin qendror. Të gjitha organizimet për mbajtjen dhe organizimin e fushatës që bëhen, ato janë mirë të planifikuara dhe do të thotë se do të shkojnë sipas agjendës. Kjo nënkupton se Aleanca është një parti, subjekt shumë stabil, është mirë e konsoliduar dhe presim përkrahje edhe më të gjerë, sepse ne vazhdimisht kemi treguar që jemi parti për shtetformim, për institucione dhe për sigurinë e vendit”, potencoi kandidati për deputet nga Aleanca.
“Po, si çdo herë, Aleanca gjithmonë mundohet dhe e ka synim strategjik planin dhe programin i cili është sa më zhvillimor dhe në dobi të vendit dhe qytetarëve. Kësaj radhe, Aleanca garon me një slogan i cili është shumë i qartë, veç e kisha prezantuar këtu para jush, domethënë me tri shtyllat kryesore, do të thotë që të kemi të bëjmë me siguri, zhvillim dhe energji. Këto janë shtyllat kryesore. Kemi edhe prioritete të tjera, e kemi edhe çështjen e arsimit nëpërmjet edukimit profesional e të tjera, shëndetësinë e të tjera... Do të sigurojmë energji të vazhdueshme për gjithë vendin, po ashtu edhe do të angazhohemi maksimalisht që tarifat e energjisë elektrike të zvogëlohen. Jo përnjëherë, mirëpo faza-faza, sipas përgatitjeve që janë bërë dhe analizave të thella të mirëfillta prej ekspertëve të Aleancës sa i përket kësaj teme, çdo vit pretendohet që nga 20% e vlerës apo tarifës së saj të ketë zbritje. Po ashtu, kësaj çështjeje strategjike ne iu kemi referuar edhe me një koncept tjetër, që do të thotë ndërtimi i një termocentrali. Do të thotë kushton diku 700 milionë euro”, deklaroi ai.
Ai premtoi se Aleanca do ta ketë pacientin në qendër të politikave shëndetësore, duke garantuar shërbime më cilësore dhe më efikase.
Po ashtu, ai përmendi rritjen e pagave për infermierët, trajnime profesionale për personelin shëndetësor dhe angazhimin e specialistëve nga jashtë vendit për trajnim të kuadrove të reja mjekësore në Kosovë.
Krahas kësaj, ai tha se prioritet është edhe sektori i arsimit dhe zhvillimit profesional të të rinjve, duke premtuar reforma të thella në sistemin arsimor dhe lidhje më të ngushtë me tregun e punës. /KosovaPress/