Aktakuzë ndaj tre personave për rastin e sulmin terrorist në kanalin e “Ibër Lepencit”
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Aktakuzë ndaj tre personave për rastin e sulmin terrorist në kanalin e “Ibër Lepencit”
Iber Lepenc
09/12/2025 - 14:10
Linku u kopjua

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me partnerë ndërkombëtarë për sulmin ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e “Ibër-Lepencit”.

KosovaPress merr vesh se prokurori që ka ngrehur aktakuzën, Bekim Kodraliu ka bashkëpunuar me të gjitha institucionet vendore, ndërkombëtare si dhe FBI, deri në zbardhjen e rastit dhe sigurimin e provave. Të akuzuarit janë: Jovan Viçentijeviq, Dragisha Viçentijeviq dhe Igor Dimiviq.

Sipas komunikatës për media bëhet e ditur se aktakuza është ngrehur për veprat penale: “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”, dhe “Spiunazh”.

Shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc, i cili nga institucionet e Kosovës u vlerësua si akt terrorist dhe i orkestruar nga Serbia, ndodhi më 30 nëntor 2024.

https://kosovapress.com/nje-vit-pas-sulmit-ne-iber-lepenc-asnje-aktakuze-e-ngritur

Pas këtij incidenti, ishte bërë e ditur se për hetimin e këtij rasti janë përfshirë edhe Byroja Federale e Hetimeve (FBI).

Çka thotë aktakuza?

Më 29.11.24 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, në pjesën e kanalit “Ibër Lepenc” , të pandehurit J.V dhe D.V, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv (rreth 20 kilogram të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit.
"J.V. dhe D.V., akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, “Ibër Lepenc”, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh.

Me këto veprime, të pandehurit J.V. dhe D.V., kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve publike” nga neni 122 në lidhje me “Kryerjen e veprës terroriste” .

Dy të pandehurit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, së bashku edhe me të akuzuarin tjetër I.D.

Ndërsa, i pandehuri J.V, akuzohet edhe për veprën penale “Spiunazhi”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, Kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdor gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.

Disa ditë pas sulmit, gjatë vizitës së kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli në këtë ndërmarrje, kjo e fundit kishte thënë se dëmi i shkaktuar është rreth 400 mijë euro. Ndërsa në një kronikë të përgatitur një javë më parë nga KosovaPress, Ndërmarrja Publike “Ibër Lepenc” nuk është përgjigjur kur është pyetur nëse ka ndonjë raport përfundimtar për dëmin e shkaktuar nga ky sulm terrorist.

Foto nga vizita e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, pas shpërthimit në Ibër Lepenc (Nëntor 2024):

https://kosovapress.com/sulmi-terroriste-ne-veri-gjithcka-qe-ndodhi-dhe-reagimet

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë, nga Liqeni i Ujmanit, disa qytete të Kosovës dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.

Pas sulmit terrorist, ndërmarrja publike Ibër-Lepenc, ndërpreu ujin për disa orë për termocentralet.

Ndërprerje të ujit ka pasur edhe në Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri, Drenas, Fushë-Kosovë dhe Obiliq.

Uji arriti në termocentrale vetëm pas mobilizimit dhe ndërhyrjes së shpejtë për sanimin e dëmeve në kanalin e Ibër-Lepencit. 


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026