Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit D.M., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Hakmarrja”.
Sipas aktakuzës, “me datë 13.05.2022 rreth orës 10:20 minuta, në fshatin Blaq. Komuna e Dragashit, në ShFMU “Hilmi Bahtijari”, i pandehuri/mësimdhënësi D.M., në cilësinë e personit zyrtar, duke keqpërdorur detyrën dhe autorizimet e tij, i keqtrajton, frikëson dhe fyen rëndë dinjitetin e personave tjerë – nxënëseve F.Z., S.Z., dhe E.H., në atë mënyrë që i njëjti sapo hyn në klasë kërkon nga nxënësit që të nxjerrin librin nga lënda e Matematikës dhe të lexojnë në heshtje mësimin e fundit, më pas kërkon nga nxënësit të dalin te dërrasa e zezë dhe të përsërisin mësimin që kishin lexuar, i pa kënaqur me përsëritjet e nxënësve, merr rripin e pantallonave nga nxënësi R.I., me të cilin me forcë i godet nxënëset në duar, duke i shkaktuar dhembje fizike, frikë dhe fyerje të rëndë të dinjitetit, të cilat keqtrajtime tek tri të dëmtuarat rezultojnë me lëndime të lehta trupore”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. Po ashtu, prokurori i ka propozuar Gjykatës që t’i shqiptoj të akuzuarit dënimin plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.