Agani deklarohet rreth Listës për Familje, Bytyqi konfirmon kalimin e tij në këtë koalicion
Lexohet për: 2 min.
Ferid Agani (2)
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Partisë së Drejtësisë Ferid Agani ka konfirmuar për KosovaPress se kjo parti do të jetë pjesë e koalicionit parazgjedhor Lista për Familje AKR-PD, por nuk ka shpalosur detaje mbi deputetët e mundshëm të Lëvizjes Vetëvendosje për të cilët po flitet se tashmë janë bërë pjesë e këtij koalicioni.

Ai ka thënë se koalicioni parazgjedhor Lista për familje do të jetë një bashkim politik në të mirën e qytetarëve duke u angazhuar për kauzën e familjes si shtyllë e palëkundur shoqërore, zhvillim ekonomik, avancime në politikën e jashtme dhe reforma përmbajtësore në shëndetësi dhe arsim.

“Bashkë me Partinë e Drejtësisë, përveç anëtarësisë dhe simpatizantëve të partnerëve tonë të kahmotshëm politik AKR-së dhe liderit të saj presidentit Behgjet Pacolli, do të jenë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, intelektualë dhe figura të mirënjohura politike të radhitura në iniciativën qytetare për familjen”, ka thënë Agani.

Pjesë e deputetëve të Vetëvendosjes që do t’i bashkohen Listës për Familje janë Arsim Gërxhaliu, Eman Rrahmani, Visar Korenica,  Imer Topanica e Bernard Tahirbegolli, por që këta të fundit të kontaktuar nga KosovaPress kanë qenë të pa qasshëm për të konfirmuar një gjë të tillë.

Ndërsa Asdren Bytyqi ka konfirmuar për KosovaPress se do të jetë pjesë e Listës për Familje dhe se shumë shpejt do të bëhen publike edhe zyrtarisht emrat e atyre që i janë bashkuar këtij koalicioni parazgjedhor.

“Është e vërtetë. Është një bashkim i madh i grupeve politike, deputetëve të Kuvendit të Republikës, intelektualëve në një platformë të figurave të mirënjohura politike të bashkuar në këtë iniciativë të përbashkët qytetare për familjen. Për detaje do të dalim publikisht dhe do të njoftojmë shumë shpejt zyrtarisht edhe emrat e tjera publike të këtij koalicioni,” ka thënë përmes telefonit Asdren Bytyqi.  

Këto janë koalicionet e reja parazgjedhore • KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025