Pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të lirë me Turqinë, Kosova ka shumëfishuar importin e mallrave nga ky shtet, derisa eksporti i vendit tonë drejt Turqisë është në vlera tejet minimale.
Turqia është vendi nga i cili Kosova importoi më së shumti mallra në vitet e fundit, ku vetëm gjatë vitit 2024 vlera e importeve të mallrave nga Turqia ka arritur në 912 milionë euro, ndërsa eksporti ka mbetur vetëm në nivelin 27.5 milionë euro ose me një deficit tregtar tjete të thelluar në 884.5 milionë euro, raporton KosovaPress.
Në vetëm gjashtë vite pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, importet janë dyfishuar, nga Turqia, derisa shifrat e eksporteve të Kosovës mbeten ende minimale.
Tregtia me Turqinë, ndonëse e rëndësishme, mbetet e pabalancuar për Kosovën. Marrëveshja për Tregti të Lirë nuk ka arritur të sjellë përfitime të dukshme në rritjen e eksporteve, ndërsa ka lehtësuar hyrjen e produkteve turke në tregun kosovar.
Kjo marrëveshje e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2019, kishte për qëllim të eliminonte barrierat doganore dhe të lehtësonte qarkullimin e mallrave në të dy drejtimet. Megjithatë, të dhënat tregojnë se nga kjo marrëveshje kanë përfituar më shumë kryesisht kompanitë turke.
Shih grafikonin: Import - eksport, Kosovë -Turqi

Në vitin 2014, eksportet u rritën në 10.3 milionë euro, por importet u rritën edhe më shumë në 238.2 milionë euro. Ndërkaq në vitin 2015 eksportet shënuan 9.2 milionë euro, ndërsa importet 252.2 milionë euro, duke e mbajtur deficitin në nivele të larta. Në vitin 2016, 7.6 milionë euro eksport dhe 288.4 milionë euro import, rreth 281 milionë euro më shumë importe se eksporte. Derisa edhe në vitin 2017 ndodhi një situatë e ngjashme, 7.1 milionë euro eksport, 292.6 milionë euro import. Në vitin 2018, eksportet arrijnë në 8.3 milionë euro, ndërsa importet shkojnë në 336.5 milionë euro.
Lexo edhe: https://kosovapress.com/keto-jane-produktet-me-te-eksportuara-dhe-importuara-ne-vitin-2024
Në 2021 importet arritën në 587.5 milionë euro, ndërsa eksportet 17.5 milionë euro. Në vitin 2022, importet nga Turqia pothuajse u dyfishuan nga viti 2020, duke shkuar në rreth 843 milionë euro, ndërsa eksporti mbeti me vetëm 23.4 milionë euro.
Derisa në vitin 2023 eksportet shënojnë një rënie në 20.2 milionë euro, ndërsa importet arrijnë një rekord me 877.1 milionë euro. Diferenca tregtare shkon mbi 856 milionë euro. Po kështu në vitin e kaluar, 2024 importi me Turqinë u rrit sërish ku arriti 912 milionë, ndërsa eksporti ishte 27.5 milionë, ose deficiti tregtar në 884.5 milionë euro, raporton KosovaPress.
Bazuar në rritjen e deficiti tregtar me Turqinë, nevojitet që Kosova të ri-shikojë rinegocimin e marrëveshjeve për tregti të lirë, në mënyrë që shteti ynë t’i mbrojë prodhimet vendore.