Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka përditësuar rekomandimet e saj të udhëtimit për shkak të trajtimit të shtetasve kroatë në Serbi.
Ajo u bëri thirrje kroatëve që të jenë të kujdesshëm dhe të marrin informacion të detajuar përpara se të udhëtojnë.
Kujtojmë se Kroacia i ka dërguar një notë proteste Serbisë më herët gjatë ditës së sotme, duke shprehur protestë të fortë për trajtimin e pesë shtetasve kroatë në Serbi.
Pesë shtetas kroatë, përfaqësues të organizatave joqeveritare që morën pjesë në punëtoritë e organizuara nga Erste Stiftung në Beograd, kaluan një pjesë të mirë të natës me policinë e Beogradit, e cila përfundimisht i dëboi nga Serbia dje në mëngjes dhe ua ndaloi hyrjen në vend për një vit, njoftoi policia serbe më parë.Ministri i Punëve të Brendshme i Kroacisë Davor Bozhinoviq tha sot, duke komentuar ndalimin e pesë shtetasve kroatë pa asnjë shpjegim në Beograd, se duhet të shqyrtohet nëse aktualisht është një kohë e mirë për të udhëtuar në Serbi.
“Nuk jam i sigurt se ka ndonjë justifikim apo shpjegim nga autoritetet serbe për atë që ka ndodhur. Nëse nuk ka shpjegim se përse po ndalohen shtetasit kroatë, është legjitime të pyesim nëse e gjithë kjo është rastësi. Duke pasur parasysh se kohëve të fundit kemi pasur disa ngjarje të ngjashme, është mirë që për këtë janë informuar edhe institucionet e BE-së në Serbi”, tha ai.