Kurti në takim me ministrin e Jashtëm norvegjez: Sot firmosim marrëveshjen për EFTA
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Albin Kurti
3 orë më parë
Linku u kopjua

Dita e dytë në Davos e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nisi me një takim bilateral në margjina të Forumit Ekonomik Botëror me ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide.

Përmes një komunikate për media Kurti tha se sot do ta nënshkruajnë marrëveshjen për EFTA.

“Sot do ta kemi nënshkrimin e marrëveshjes për EFTA e cila është një arritje e madhe. Ne kemi patur rritje të konsiderueshme në katër vitet e fundit, 6 për qind të BPV-së mesatarisht, duke mos shkuar asnjëherë poshtë 4 për qind. Ne duam të vazhdojmë të rritemi por eksportet janë shumë të rëndësishme, e eksporti i të mirave dhe shërbimeve është i përfshirë tashmë në EFTA”, u shpreh kryeministri në fillim të takimit.

Kurti e falënderoi shtetin e Norvegjisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës e veçanërisht në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare e rrugëtimin në procesin e integrimit evropian.

“Palët biseduan edhe rreth sfidave të përbashkëta të sigurisë e adresimit të tyre dhe rëndësisë së bashkërendimit. Kryeministri Kurti theksoi edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, krahas linjëzimit të Kosovës me BE-në dhe shtetet anëtare në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe mbështetjes së sanksioneve ndaj Rusisë”, thuhet tutje.

Duke shprehur mirënjohjen për përkrahjen e Norvegjisë dhe bashkëpunimin e fuqishëm të dyanshëm, kryeministri e falënderoi ministrin Eide për bashkëbisedimin dhe shkëmbimin në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025