Kurti merr pjesë në Forumin Ekonomik në Davos, do të nënshkruhet kjo marrëveshje
Biznes
Lexohet për: 3 min.
davosss
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar sot (e martë) për në Zvicër, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në Davos do të nënshkruhet Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet anëtare të EFTA-s (Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë).

“Kosova është i vetmi vend në rajon që përveç negocimit për tregti të mallrave, ka negociuar edhe për tregti të shërbimeve me EFTA-n. Kjo marrëveshje do të krijojë mundësi të reja për prodhuesit dhe kompanitë tona vendore dhe do të forcojë partneritetin ekonomik dhe tregtar ndërmjet vendit tonë dhe Norvegjisë, Zvicrës, Lihtenshtajnit dhe Islandës si shtete anëtare të EFTA-s”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatë, gjatë qëndrimit atje, kryeministri Kurti gjithashtu do të ketë takime me përfaqësues shtetërorë të vendeve mike e partnere dhe me investitorë potencialë, si dhe do të marrë pjesë në panelin e diskutimit me titull "Demokracitë e qëndrueshme në një epokë të ndryshimit" dhe panelin "Inteligjenca Artificiale për Njerëzimin: inovacioni etik në epokën e Inteligjencës". Të dy këto panele do të mbahen në Shtëpinë e Kosovës (House of Kosova) në Davos e cila është hapur për herë të parë. 

Në Forumin Ekonomik në Davos marrin pjesë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Në samitin e sivjetshëm pritet pjesëmarrja e 3 mijë personave si biznesmenë, politikanë, akademikë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga më shumë se 130 vende, përfshirë dhe nga Ballkani, ndërsa 60 krerë të shteteve dhe qeverive do të mbajnë fjalime, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

Në këtë periudhë kur ekonomia globale po përjeton një ndryshim paradigme, në samit do të diskutohet se si të rivendoset rritja, si të përfitohet nga teknologjitë e reja dhe mënyrat për të forcuar qëndrueshmërinë sociale dhe ekonomike në 220 sesione të ndryshme.

Në sesione, folësit do të ndajnë vlerësimet e tyre mbi politikat e reja të SHBA-së, fragmentimin që është shfaqur si rezultat i dobësimit gradual të bashkëpunimit global, politikat tregtare, inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi, transformimi i energjisë së pastër, lufta kundër ndryshimeve klimatike, politikat monetare të bankave qendrore, normat e interesit dhe inflacioni.

Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror në Davos ka nis dje dhe zgjatë deri më 24 janar.

Sipas një njoftimi në faqen zyrtare të Forumit Ekonomik Botëror thuhet se takimi vjetor 2025 mbledh liderët globalë për të adresuar sfidat kryesore globale dhe rajonale.

https://kosovapress.com/forumi-ekonomik-boteror-do-te-mbahet-prej-20-deri-24-janar-ne-davos

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025