Shënohet themelimi i ATK-së, kaq miliardë euro të hyra nga tatimet dhe kontributet pensionale

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) sot ka shënuar 25-vjetorin e themelimit të saj. Në ceremoninë e organizuar u theksuan sfidat dhe të arriturat e këtij institucioni përgjatë 25 viteve funksionimi. Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj tha se kjo ditë nuk është thjeshtë një datë në kalendar, por një pikë referimi e rëndësishme që shënon një datë të përkushtimit, transparencës dhe profesionalizmit më shërbim të qytetarëve dhe në zhvillim ekonomik të vendit tonë.

Murtezaj theksoi se përgjatë këtyre 25 viteve rrugëtimi i ATK-së ka qenë përplot me sfida, porse ne të njëjtën kohë siç tha ai janë arritur suksese të jashtëzakonshme.  

Ai potencoi se për 25 vjet ATK-ja ka mbledhur mbi 8 miliardë euro tatime dhe mbi 3 miliardë euro kontribute pensionale.

Përfaqësuesja nga Ambasada e Amerikës në Kosovë, Eileen Devitt potencoi se ATK-ja ka ndihmuar Kosovën për të ngritur fondin publik dhe për të investuar në zhvillimin e saj.

Ajo shtoi se ATK-ja në partneritet me ShBA-të dhe USAID-in kanë ndihmuar që të krijohen institucione të tjera duke ofruar të mira për qytetarët.


Ambasadori i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde u shpreh se është shumë e rëndësishme për Kosovën me pasur një administratë tatimore efikase.

Rohde foli për partneritetin e ATK-së me Gjermaninë, për çka tha se bashkëpunim ka luajtur një rol kyç në fuqizimin e sistemit tatimor dhe të ardhurave tatimore të Kosovës.

Ambasadori i Ambasadës së Britanisë në Kosovë, Jonathan Hargreaves tha se ATK-ja ka ndërtuar besimin e qytetarëve, por edhe bizneseve.

Hargreaves theksoi për 25 viteve ATK-ja ka demonstruar profesionalizëm dhe zotim për misionin e saj, dhe sipas tij në këtë drejtim Mbretëria e Bashkuar ka luajtur një rol të rëndësishëm.

Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Sebastian Sosa tha se ky 25 vjetor është një testament i arritjeve të mëdha të krijimit të Administratës Tatimore të Kosovës.

Ndërkaq, Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, tha se ATK-ja ka luajtur një rol jetik në krijimin e një mjedisi të favorshëm për zhvillimin ekonomik te vendit. Administrata Tatimore e Kosovës është themeluar më 17 janar të vitit 2000.

Lexo edhe

Video