Komisioni i përbashkët për personat e zhdukur me dhunë në luftën e fundit në Kosovë do të mbajë më 15 janar takimin e parë në Bruksel. Familjarët nuk presin ndonjë rezultat nga ky takim pasi thonë që Serbia vazhdon të neglizhojë procesin për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
Ahmet Grajqevci nga Këshilli Koordinues i Familjarëve të Personave të Pagjetur, thotë se kjo çështje humanitare nuk duhet të ndërlidhet me çështje politike.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e plotë të Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur me dhunë.
Në Bruksel u arrit dakordimi për themelimin e një Komisioni të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e kësaj deklarate.Në Kosovë vazhdimisht pati shqetësime që rrugës mund të dalin pengesa nga Serbia dhe mund të zvarritet sërish ky proces.
Grajqevci insiston që bashkësia ndërkombëtare duhet t’i bëjë më shumë presion Serbisë për zgjidhjen e fatit të personave të pagjetur në Kosovë.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti, konfirmoi se Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues delegacionit të Kosovës.
Ndër zotimet në këtë deklaratë janë qasja në informacione të besueshme, përfshirë edhe atyre me status të kualifikuar dhe vënia në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi në përcaktimin e fatit të personave të zhdukur.
Mbi 13.000 civilë janë vrarë gjatë luftës së viteve 1998/99 nga forcat serbe, dhe për mbi 6.000 të zhdukur me dhunë, 1.600 prej tyre vazhdojnë të jenë të pagjetur./B.Ibishi