Komandanti i FSK-së mori pjesë në takimin e Grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, mori pjesë në takimin e radhës së Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që u zhvillua të enjten në Bazën e Forcave Ajrore Amerikane në Ramstein Gjermanisë. Aty mori pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Jashari po qëndron atje me ftesë të Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Lloyd Austin, njoftoi Forca e Sigurisë së Kosovës.
“Takimi u bashkëdrejtua nga Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, Lloyd Austin si dhe ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov. Për të treguar rëndësinë e këtij koalicioni dhe për të adresuar kërkesat e Ukrainës për vitin 2025 në takim mori pjesë edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy. Në adresimin e tij ai falënderoi shtetet e koalicionit për ndihmat e dhëna përmes Kontakt Grupit”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Kosova, siç thuhet në njoftim, vazhdon të mbështesë Ukrainën përmes trajnimit të forcave luftarake ukrainase, në fushën e deminimit si dhe ka dhuruar shumë herë pajisje, automjete dhe municion të kalibrave të mëdhenj
Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës është formati i takimeve të ministrave dhe shefave të mbrojtjes të mbi 50 vendeve të botës, që përbëjnë koalicionin e madh të mbështetësve të Ukrainës, që prej fillimit të agresionit rus më 2022.