Keqpërdorimi i mjeteve të MKRS-së, arrestohen tre të dyshuar

Keqpërdorimi i mjeteve të MKRS-së, arrestohen tre të dyshuar

Tre persona janë arrestuar sot pas hetimeve nga Sektori për Hetime Financiare dhe Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prishtinë, nën dyshimet se gjatë periudhës 2019-2023 i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në vlerë 87 mijë e 463 euro.

Hetuesit nga Sektori për Hetime Financiare, pas pranimit të një informate, të njëjtën e kanë trajtuar dhe gjatë mbledhjes së dëshmive, kanë ngritur dyshime se zyrtarët e Federatës së Karatesë të Kosovës (FKK) kanë keqpërdorur mjetet financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

N.G. (1974), F.M. (1982) dhe I.K. (1968), shtetas të Kosovës, janë arrestuar dhe intervistuar, dhe ndaj tyre është iniciuar rasti mashtrim me subvencione.

Pas intervistimit, N.G. dhe F.M. u është caktuar masa e ndalimit 48 orë, ndërsa I.K. është liruar në procedurë të rregullt.


Në rastin e dytë sot Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prishtinë ka arrestuar A.M. (1989), në cilësi të kryetarit të Komisionit për ndarjen e granteve në Obiliq, për ndarjen 9 mijë e 900 euro në formë subvencioni për një klub basketbolli, të cilin ai e kishte themeluar dhe i cili dyshohet se ka qenë jo aktiv.

Po ashtu është arrestuar edhe A.A. (1977), si monitoruese e implementimit të subvencioneve, duke përpiluar raport të rrejshëm.

Mbi bazën e gjetjeve është krijuar dyshimi se të dyshuarit kanë kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konflikti i interesit.

A. M., me aktvendim nga prokurori, është dërguar në mbajtje 48 orë, ndërsa A.A. është liruar në procedurë të rregullt.

Lexo edhe

Video