Kryeministri i vendit, Albin Kurti kishte deklaruar se Kosova synon ta padisë Serbinë për gjenocid, por as katër vjet pas mandatit, një padi e tillë nuk është hartuar. Zyrtarë qeveritarë thonë se janë duke punuar në këtë drejtim por që nuk mund të jepen detaje për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Në anën tjetër, në Kosovë ka skepticizëm se një premtim i tillë do të mund të realizohet.
Mbi 13 mijë civilë të vrarë, mbi 20 mijë të përdhunuar seksualisht, mbi 6 mijë të zhdukur - prej tyre rreth 1.600 vazhdojnë të jenë të pagjetur, e më shumë se 800.000 persona të zhvendosur gjatë luftës së viteve në 1998-1999 në Kosovë. Serbia vazhdon t’i mohojë krimet që i ka kryer në Kosovë.
Por sipas profesorit të së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, qeveria e ka kuptuar që ky është një proces kompleks.
Paditë për gjenocid ngrihen pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë - institucionit që vendos për mosmarrëveshjet në mes të shteteve. Në GJND mund të iniciojnë procedura vetëm shtetet që janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).Kosova duhet të padisë Serbinë për gjenocid kur është e sigurt se do ta fitojë rastin, thotë njëri nga hartuesit e Kushtetutës, Arsim Bajrami.
Bosnje e Hercegovina dhe Kroacia i kanë humbur rastet për gjenocid. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pati konstatuar se Serbia është përgjegjëse për shkeljen e Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të gjenocidit në Srebrenicë, por jo edhe për kryerje të gjenocidit, për çka Bosnja kishte ngritur padi.