Në mes tensioneve e debateve të anëtarëve pozitë-opozitë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar sot vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për certifikimin e subjektit politik SRPSKA LISTA dhe kandidatëve të këtij subjekti politik, por pa e hedhur në votim.
Gjykata Supreme e Kosovës sot ka dalë me aktvendim duke e hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje që e paraqiti kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me certifikimin e Listës Srpska për zgjedhjet parlamentare.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se vendimi i PZAP-së e ka detyruar këtë institucion ta certifikojë këtë subjekt politik.
“Konstatoj se vendimi i PZAP-së sipas nenit 118, paragrafit 5 është i detyrueshëm për ne dhe për këtë do ta lëshoj një vendim për zbatimin e vendimit...Ne e kemi shqyrtuar, për të votuar nuk kemi çfarë të votojmë. Vendimi i PZAP-së na ka obliguar që ta certifikojmë...Kjo është çështje e mbyllur. Sipas ligjit jemi të obliguar ta zbatojmë vendimin e PZAP-së dhe me këtë ka marrë fund kjo çështje”, tha Radoniqi.Ai shtoi se gjithmonë do të votojë kundër Listës Serbe.
Edhe anëtari tjetër i KQZ-së nga LVV, Sami Kurteshi u shpreh se ekzistojnë shumë dëshmoi dhe fakte se Lista Serbe nuk e meriton të certifikohet.
Më 25 dhjetor 2024, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e ka urdhëruar atë që ta certifikojë partinë politike, Lista Serbe, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.