Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, është deklaruar lidhur me rastin e fundit për dëmtimin e pajisjeve në sallën e Asamblesë në Prishtinë, aty ku edhe u votua buxheti për vitin 2025.
Sveçla duke e arsyetuar këtë veprim ka thënë se rasti që ka ndodhur nuk ka të bëjë fare me miratim të buxhetit, por siç tha ai është munduar të ndalë mikrofonin në mënyrë që të ndërpritet seanca në të cilën do të merreshin disa vendime e që janë shumë të dëmshme për qytetin.
Ndërsa, u ka kërkuar falje qytetareve lidhur me imazhet nga ajo skenë, ai ka shtuar se përtej atyre pamjeve është e rëndësishme përmbajtja.
Në anën tjetër, sekretari i Qendrës, Egzon Azemi, në këtë konferencë për media ka ftuar prokurorinë dhe gjitha organet e drejtësisë që të reagojnë siç tha ai ‘përballë pazareve milionëshe që po ndodhin në kryeqytetin e Republikës’.Asamblistët e Vetëvendosjes zhvilluan edhe një aksion simbolik, ku vendosën banerin “Komuna e Devollëve”.
Pas tre dështimeve të miratimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025, në seanca të jashtëzakonshme, sot me 25 vota për dhe një abstenim, është miratuar buxheti i Komunës së Prishtinës.