Detektivët që punonin për zbulimin e rastit të vjedhjes së 22 tonëve me djathë nga shitësi i famshëm Neal's Yard Dairy në Londër, kanë arrestuar një 63-vjeçar nën dyshimin për mashtrim me përfaqësim të rremë dhe trajtim të mallrave të vjedhura.
Një prodhues i specializuar djathi londinez i furnizoi 950 rrotulla djathë Cheddar - me vlerë deri në 300 mijë funte - një mashtruesi që paraqitej si shpërndarës me shumicë për një shitës të madh francez, raporton Guardian.
"63-vjeçari është liruar me kusht në pritje të hetimeve të mëtejshme. Hetimet po vazhdojnë," tha një zëdhënës i Policisë Metropolitane.
Vjedhja i dha një goditje të madhe financiare prodhuesit të djathit londinez. Shefi i famshëm i kuzhinës Jamie Oliver është bashkuar me kolegët nga industria ushqimore për të mbështetur Neal's Yard Dairy.“Kishte një grabitje të madhe djathi. Është vjedhur një sasi djathi Cheddar më i mirë në botë. Ky është një turp i vërtetë. Nëse dëgjoni që një djathë i shtrenjtë po shitet me çmim të ulët, me siguri po shitet nga një fajtor”, ka shkruar ai.