Fronti Demokratik prorus (DF) në Mal të Zi paralajmëroi zëvendëskryeministrin e këtij vendi, Nik Gjeloshaj, se mund të përjashtohet nga Qeveria, pasi ai kundërshtoi nismat për përfshirjen e dyshtetësisë dhe të serbishtes si gjuhë zyrtare.
“Ne, me dashamirësi, e këshillojmë Gjeloshajn që ta pranojë realitetin social në Mal të Zi dhe të mos përpiqet të na i mohojë të drejtat që i kanë të gjithë të tjerët... sepse nëse kafshon shumë, mund t’i thyejë dhëmbët”, thuhet në komunikatën e DF-së, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar.
Në një takim me zëvendësin e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ai paralajmëroi kundër “aktiviteteve potencialisht destabilizuese të strukturave klero-nacionaliste, që synojnë ta minojnë perspektivën evropiane të Malit të Zi”.
Duke e sqaruar këtë deklaratë në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, Gjeloshaj tha se iniciativat e DF-së për ndryshimin e Ligjit për shtetësinë malazeze dhe për miratimin e Ligjit për agjentët e huaj - sipas modelit të ligjit rus - kanë për qëllim ngadalësimin e rrugës evropiane të Malit të Zi.Ai nuk e përjashtoi mundësinë e një rikonstruktimi të Qeverisë së Malit të Zi apo të një marrëveshjeje të re.
Qeveria e Malit të Zi u rikonstruktua në korrik, kur asaj iu bashkuan DF-ja dhe Partia Boshnjake. Partitë proruse morën dy poste të zëvendëskryeministrave dhe tri ministrore, ndërsa boshnjakët morën një zëvendëskryeministër dhe pesë pozita ministrore.
Partitë e DF-së duan heqjen e sanksioneve kundër Rusisë, të ndërmarra për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundër anëtarësisë së Malit të Zi në NATO, si dhe mohojnë gjenocidin në Srebrenicë.
Mali i Zi mori katër nota proteste nga vendet fqinje, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, gjatë mandatit të shumicës së re parlamentare.
Shkak u bënë deklaratat dhe iniciativat e udhëheqësve të DF-së, disa prej të cilave - si rezoluta për gjenocidin në Jasenovac - u pranuan edhe nga partitë e tjera në pushtet.
Partitë proruse dhe proserbe në Qeverinë e Malit të Zi janë për nënshkrimin e marrëveshjes për dyshtetësi me Serbinë dhe me vendet e tjera, si dhe për ndryshimin e Ligjit për shtetësinë.
Duke e shpjeguar këtë iniciativë, udhëheqësi i DF-së, Mandiq, tha se këtë e kërkon edhe diaspora nga radhët e popujve pakicë. Gjeloshaj reagoi, duke i bërë thirrje Mandiq të mos i përmendë shqiptarët në kontekstin e rrëfimit për dyshtetësinë.
Në intervistën dhënë Zërit të Amerikës, Gjeloshaj tha se shqiptarët janë qytetarë të Malit të Zi, të cilin e perceptojnë si vendin e tyre, dhe se ndryshimi i Ligjit për shtetësinë “do të çonte në një ndarje të madhe në Mal të Zi”.
“Jo vetëm tek unë, por edhe në parti, te populli që i përkas, do të kishte një reagim të ashpër, nëse do të shkonte përpara Ligji për shtetësinë, i cili ka vetëm një qëllim dhe ai është ndryshimi i strukturës kombëtare të Malit të Zi”, tha ai.Pas publikimit të rezultateve të regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi, të cilat treguan se serbishtja është gjuhë amtare për 43 për qind të popullsisë dhe gjuha malazeze për 34 për qind, partitë proserbe filluan një fushatë për ndryshimin e Kushtetutës.
Ato duan që serbishtja, e cila tani ka statusin e një gjuhe në përdorim zyrtar si gjuha shqipe, kroate dhe boshnjake, të marrë statusin e gjuhës zyrtare si gjuha malazeze. Gjeloshaj tha se Kushtetuta nuk do të ndryshohet për ta zyrtarizuar gjuhën serbe.
Para regjistrimit, forca dhe media proserbe dhe proruse u bënin thirrje qytetarëve në Mal të Zi që të deklaroheshin si serbë, që flasin serbisht dhe janë besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe. Duke reaguar ndaj Gjeloshajt, DF-ja tha se i duhet të zvogëlojë kërcënimet dhe “shovinizmin e theksuar ndaj popullit serb në Mal të Zi”.
DF-ja i ka 13 deputetë në Kuvendin e Malit të Zi, ndërsa Alternativa Shqiptare e Gjeloshajt, si pjesë e koalicionit të Forumit Shqiptar, i ka dy. Përveç deputetëve të DF-së, shumica parlamentare përbëhet nga Lëvizja Evropa Tani, Demokratët, Partia Popullore Socialiste, partitë boshnjake dhe shqiptare. /REL