Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se bashkë me qytetarët do ta krijojnë një republikë ku kryeministri nuk vendoset mbi prokurorinë, nuk e mbron hajninë, pushteti nuk sulmon mediat, qeveria nuk e shkel Kushtetutën 10 herë për t’u mburrur e jo skuqur 100 herë, por vjedhja e krimi do të dënohen.
Abdixhiku në takimin e fundit elektoral me qytetarët e Vitisë, u premtoi atyre kyçje në autostradë nga Gërlica, ndërtimin e zonës ekonomike, ndërtimin e çerdheve të reja, si dhe aplikimin e mësimit tërë ditor.
“Në republikën tonë kryeministri nuk vendoset mbi prokurorinë, kryeministri nuk e mbron hajninë, në republikën tonë, pushteti nuk sulmon mediat, nuk sulmon gazetarët, nuk sulmon mendimin e lirë, jemi popull i lirë, e duam lirinë, do ta mbrojmë këtë liri me çdo çmim. Në republikën tonë, propaganda nuk zëvendëson realitetin me tabela fiktive e plotë mashtrime, në republikën tonë tabela e vetme është ajo e familjeve kosovare që jetojnë e përpiqen për një jetë të dinjitetshme e të ndershme në atdheun e tyre. Në republikën tonë, qeveria nuk e shkel Kushtetutën 10 herë për t’u mburrur e jo skuqur 100 herë, e hajnia, vjedhja e krimi nuk maten me kutin e krahasimit me të shkuarën se a janë më shumë se dikur, por dënohen sepse hajnia është hajni, vjedhja është vjedhje e futja e duarve në bukën e Kosovës do të dënohet para vendit, para popullit e para Zotit”, tha ai.
Po ashtu, edhe në këtë qytet premtoi për rritje të pagave të gjithë shërbyesve civil qysh në javën e parë. Për pensionistët përveç rritjes së pensioneve, premtoi barnat falas për secilin pensionist.