Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka prezantuar para gazetarëve 15 nënshkrimet e deputetëve për zgjedhjen e presidentit.
Ai tha se këto nënshkrime kanë mundur të jenë edhe për Vjosa Osmanin për presidente.
“Ja ku janë 15 nënshkrime të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe besoj që kjo është dashur ta përmbyllë të gjithë debatin politik në Kosovë. 15 nënshkrime të LDK-së për kandidatin e propozuar të LDK-së. Unë këto nënshkrime nuk kam dashur t’i bëjë pjesë të lojërave politike sepse janë serioze. LDK megjithatë vepron në mënyrë shumë institucionale dhe është serioze në qëndrimet e veta politike, nuk propozon diçka LDK cfarë nuk mund t’i qëndrojë prapa politikisht... për kandidatin e propozuar nga LDK, sic kam thënë edhe herën kaluar mund të jetë edhe Vjosa Osmani”, deklaroi ai.
“Për besë jo asnjëherë, asnjë moment e kandidaten e dytë as nuk e njohëm. Provuam ta kërkojmë për ta kuptuar se kush është”, shtoi ai.
Tutje, në konferencë për media, kreu i LDK-së tha se sonte “LVV inicoi përmbysjen e rendit kushtetues”.
Ai tha se nisja e seancës pa respektim të kuorumit është rast i paprecedent. Abdixhiku tregoi nëse do të marrin pjesë në seancën e thirrur nesër nga ora 10:00.
“Ju e dini qëndrimin e LDK-së, është i pandryshueshëm, është konsistent që nga dita e parë deri më tani. Madje, LVV është zotuar që nga takimi i parë që nuk do të ketë kandidatura të imponuara siç i kemi pasur katër kandidatura deri më tani. LDK ka bërë thirrje, bën thirrje vazhdimisht që e vetmja mënyrë për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës është nëpërmjet një marrëveshje politike dhe për këtë marrëveshje politike kemi pasur një propozim, kemi pasur një zotim, kemi pasur një qëndrim të cilin LVV nuk e ka konsideruar të denjë ta respektojë. Këto janë shfaqje monopartiake që nuk i shërbejnë demokracisë, nuk janë të denja për Republikën e Kosovës dhe po na dërgojnë drejt zgjedhjeve të reja të radhës për shkak se një parti politike nuk e kupton kompromisin”, u shpreh ai.
Ai paralajmëroi edhe mbledhjen e organeve të partisë për të ndërmarrë hapa nëse është konsumuar rundi i parë i votimit për president.