Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka paralajmëruar, sot, vetëm një ditë pas zgjedhjeve ku partia e tij u radhit e treta, se do bëhen reforma të thella të brendshme që parashohin largimin e atillëve, që sipas tij, “vetëm marrin pa dhënë, pengojnë e shpresojnë në rrënim kolektiv për përfitim individual”.
Duke i falënderuar votuesit dhe veprimtarët që partisë ia siguruan 20 mandate, Abdixhiku u zotua se “nuk do të lejojnë që mundi i tyre të shpërdorohet më nga asnjë protagonizëm individual”.
“Përpara nesh kemi edhe reforma të thella të brendshme. Na duhen njerëz që i japin vizionit tonë, që ndërtojnë bashkë me ne, e jo të tillë që vetëm marrin pa dhënë, pengojnë e shpresojnë në rrënim kolektiv për përfitim individual. Këto reforma do t’i bëjmë. Me prioritet, shpejtë dhe qartë si kurrë më pare” shtoi ai.
Në postim, Abdixhiku rivlerësoi se Kosova jonë vazhdon të jetë në krizë, dhe se LDK-ja, sipas tij, për të dytën herë arriti të krijojë parakushte për balancë demokratike para kontrollit absolut.