Dega e II-të e LDK-së në Prishtinë po kërkon dorëheqjen e kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhikut, Më parë kjo kërkesë iu bë edhe nga Degët e LDK-së në Pejë dhe Lipjan.
Në reagimin e Degës së II-të e LDK-së në Prishtinë thuhet se “Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon njërën nga periudhat më të vështira në historinë e saj. Pas humbjeve të njëpasnjëshme, LDK-ja po rrëshqet drejt margjinalizimit politik, duke e betonuar veten në pozitën e tretë dhe duke u shndërruar në një parti pa peshën e duhur politike dhe shtetndërtuese. Ky është një realitet i papranueshëm për partinë e Ibrahim Rugovës dhe një dëm i madh për vetë shtetin e Kosovës”.
Kjo degë kërkon që “LDK-ja duhet ta rikthejë veten me energji të reja, me lidership të ri, me struktura të rifuqizuara dhe me një bashkim të vërtetë të të gjithë atyre që kanë për mision avancimin e interesave të shtetit të Kosovës dhe të së ardhmes së saj, e jo realizimin e interesave të ngushta individuale apo grupore”.
Deklarata e plotw:Kosova ka nevojë urgjente për rikthim të besimit, stabilitetit dhe vizionit shtetformues. Ka nevojë të rikthehet si partnere e denjë dhe e besueshme e botës demokratike, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin tonë jetik dhe historik.
Lidhja Demokratike e Kosovës, që nga themelimi i saj si forcë politike nacional-demokratike, e udhëhequr nga arkitekti i pavarësisë së Kosovës, Presidenti Historik Ibrahim Rugova, ishte fryma politike dhe kombëtare që e orientoi Kosovën drejt lirisë, demokracisë dhe integrimit euro-atlantik. Trinomi “Liri, Pavarësi, Demokraci” u bë themeli i rezistencës sonë kombëtare gjatë viteve të ’90-ta dhe, bashkë me luftën çlirimtare të UÇK-së dhe ndërhyrjen vendimtare të NATO-s, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, solli çlirimin përfundimtar të Kosovës nga Serbia.
Prandaj, kjo situatë kërkon reflektim të thellë, përgjegjësi politike dhe vendime të guximshme.
Prandaj, në këtë situatë kërkohen kurajë, veprim dhe guxim për ta rikthyer fuqinë dhe peshën e LDK-së.
Njëkohësisht, duhet ta ruajmë dhe ta forcojmë demokracinë e brendshme të LDK-së. Duhet të sillemi me mirëkuptim dhe respekt ndaj secilit anëtar e dashamir të LDK-së që kërkon përgjegjësi dhe ndryshim. Kërkesa për llogaridhënie nuk është armiqësi ndaj partisë, por përkushtim ndaj saj. Prandaj, në vend që t’i përndjekim, t’i ndëshkojmë, t’i fyejmë apo t’i ofendojmë ata që mendojnë ndryshe, madje edhe me sulme personale, duhet t’i dëgjojmë dhe t’i trajtojmë si pjesë të zgjidhjes.
Të përkushtuar ndaj LDK-së, kemi pranuar të angazhohemi dhe të veprojmë edhe për ata që nuk e meritojnë mundin e as besimin e aktivistëve, por pa sukses.
Në këto rrethana, Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë e falënderon kryetarin Lumir Abdixhiku për kontributin dhe angazhimin e tij të deritashëm dhe, njëkohësisht, kërkon që, me përgjegjësi dhe dinjitet politik, të japë dorëheqje dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve tashmë të domosdoshme në LDK.
Prandaj, kërkojmë hapjen e procesit demokratik për zgjedhjen e një lidershipi të ri, të cilin e kërkojnë koha, anëtarësia dhe qytetarët e Kosovës.
Ky është momenti për marrje të përgjegjësive.Ky është momenti për ta shpëtuar LDK-në nga rreziku i margjinalizimit dhe për ta rikthyer Kosovën në drejtimin e duhur.
Zoti e bekoftë Kosovën.
Prishtinë