Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku gjatë tubimit elektoral në Shtime, premtoi se gjatë qeverisjes së tij do të realizojnë projekte infrastrukturore që do të transformojnë vendin, teksa nuk la pa e kritikuar partinë në pushtet për mos punë dhe ofendime.
Abdixhiku tha se me LDK-në në pushtet komuna e Shtimes do të ketë kyçje në autostradë, do të krijohen vende pune, do të ketë zgjidhje të problemeve me energjinë elektrike, si dhe rrugë e spitale të reja.
Abdixhiku tha me LDK-në në pushtet do të realizojnë projekte infrastrukturore, duke përmendur ndërtimin e centralit me gaz, për çka tha se do të krijohen edhe vende të reja pune.
Kosova shtet i pavarur, sovran, i anëtarësuar në NATO e BE dhe miqësi të përhershme me SHBA-në, është mision i përjetshëm i LDK-së, sipas Abdixhikut.Fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit ka nisur më 11 janar. Të dhënat e Demokracisë në Veprim tregojnë se deri më tash janë mbajtur rreth 380 tubime publike, derisa prin LDK-ja me 109 aktivitete, PDK 106, Vetëvendosje 71 dhe AAK 54.
Në zgjedhjet parlamentare, të cilat mbahen për herë të parë si të rregullta pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, konkurrojnë 28 subjekte politike.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt 2021.