Haradinaj godet Kurtin në Suharekë: Nuk e ka kokën te puna, po e mban vendin peng
Lajme
Lexohet për: 6 min.
ramush haradinajj
6 orë më parë
Linku u kopjua

Në vazhdën e aktiviteteve të fushatës zgjedhore, Koalicioni për Kosovën Fituese ka mbajtur sonte tubimin zgjedhor në Suharekë.

Ndërtimi i një stadiumi, vende të punës për gratë, përmirësim të infrastrukturës, shëndetësisë dhe arsimit ishin ndër premtimet kryesore nga kandidatët për deputetë nga kjo komunë. Derisa, kryetarët e partive kryesore të këtij koalicioni u zotuan për ndryshime pozitive në siguri dhe ekonomi, duke mos lënë anash kritikat për pushtetin aktual.

Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, njëkohësisht kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se për ta rregulluar gjendjen në shtetin tonë duhet filluar nga anëtarësimi në NATO.

Para qindra simpatizantëve në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyci” në Suharekë, Haradinaj tha se përgjatë katër viteve të fundit qeverisje, Vetëvendosje nuk ka qenë në rregull sa i përket planeve të brendshme dhe të jashtme.

“Siç e dimë 4 vjet nuk kanë qenë në rregull, as me qeverisje, as me punë tona, as në planin e brendshëm as në të jashtëm. Si ta rregullojmë situatën njëherë e përgjithmonë? Duhet t’ia fillojmë prej sigurisë. Kur nuk je i sigurt si popull si vend, nuk shkojnë punët lehtë. Siguria duhet të jetë e plotë e përjetshme. E vetmja mënyrë sot, sepse na duhet të aftësohemi si shtet, t’i ngrisim investimet në mbrojtje gjithsesi. E vetmja mënyrë për t’u siguruar përjetësisht është anëtarësimi në NATO. Nëse anëtarësimi në NATO shkon shpejtë, jemi shumë fitues për shkak se nuk vonojmë në proces…Deri tash janë penguar kapacitetet në energji. Nuk na kanë lënë të prodhojmë, të ndërtojmë centrale të reja për energji në Kosovë. Si me pas bërë me qymyr, apo me gaz iu siguroj që do ta kishim pas çmimin e energjisë më të lirë. Tash po blejmë energji gjithkah e po ia shesim qytetarëve tonë dy herë më shtrenjtë”, tha Haradinaj.

Derisa iu referua kryeministrit Albin Kurti, ai theksoi se nuk duhet të mbahet peng vendi për shkak të një njeriu dhe ekipit të tij që sipas tij “nuk e kanë kokën te puna”.

Ai e quan “marre” refuzimin e Kurtit për t’iu përgjigjur prokurorisë.

“Duhet zhvillim ekonomik, shumë zona industriale, zona biznesore siç i keni në Suharekë. Suharekës duhet dhënë edhe më shumë tokë, komunës së Suharekës, sepse e ka dëshmuar që din ta vë në funksion mirë. U fol për stadium. Është marre me pas një ekip që luan në liga ndërkombëtare e mos me pas stadiumin. Duhet të bëhet stadiumi. Duhet ngrohtoret e qyteteve janë të nevojshme për shkak se kursejnë energjinë…Kur po i themi qeverisë dhe Kurtit shko, nuk e kemi me të personalisht, as me njerëz rreth tij. Nuk është ashtu, ne e kemi me vendin tonë. Ne duan që vendi ynë të ecë përpara. Pse të vazhdohet të mbahet peng vendi kështu për një njeri ose ekip që nuk e ka kokën tek puna. Mos të shkoj kryeministri tek prokurori, është marre për shtet, për ligj”, theksoi Haradinaj.

Nën brohoritjet  “Çeliku” nga simpatizantët i pranishëm në Suharekë, kandidati për deputet dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili tha se Koalicioni për Kosovën fituese krijon kushte për bizneset dhe qytetarët. Derisa sipas tij pushteti po sulmon ata që e fuqizojnë Kosovën.

Si sukses kryesor për Suharekën, Limaj përmendi ndërtimin e autostradës “Rruga e Kombit”.

“Aty ku koalicioni ynë qeverisë, ky vizion tregon më së miri se çfarë do të thotë me qenë një Kosovë fituese. Suhareka fituese me vepra, ky vizion i shpalosur këtu tregon më së miri se kur bashkohen energjitë pozitive, njerëzit e duhur në vendin e duhur, ata krijojnë vepra, i shërbejnë qytetarëve. Kështu ishte dje Gjakova, kështu është sot Suhareka, kështu do të jetë nesër Deçani e të tjerat…Suhareka kurrë nuk do të ishte bërë Suhareka qytet sot siç po bëhet dhe është, Suhareka nuk do të kishte një shesh çfarë ka sot, nuk do të merrte këtë formë çfarë e ka sot sikur të vazhdonin që në Suharekë të lëviznin ‘shliperët’, autobusët dhe mos të ishte autostrada e kombit…Ne krijojmë vepra, kushte për bizneset, qytetarin, për punëtorin derisa të tjerë aty anatemojnë e sulmojnë ata që e fuqizojnë Kosovën”, u shpreh Limaj.

Ndërkaq, kandidatja për deputete nga radhët e AAK-së, Kymete Bajraktari, para simpatizantëve të Aleancës ka premtuar se do të jetë zë i fuqishëm në Kuvendin e Kosovës për qytetarët e Suharekës.

Ajo premtoi se do të angazhohet fuqishëm për krijimin e infrastrukturës ligjore që gratë të kenë qasje në tregun e punës.

“Unë premtoj se do të angazhohem dhe do të jem zë i fuqishëm i juaji në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Premtoj që do të angazhohem për krijimin e infrastrukturës ligjore që gratë të kenë qasje në tregun e punës. Të kenë kushte më të mira për biznes, të drejta në pronë dhe trashëgimi si dhe drejtësi universale për të gjithë. Sot kemi nevojë urgjente për të investuar në rini. Rinia është potenciali më i madh që ka vendi ynë, por për fat të keq ata po largohen nga Kosova për shkak të mungesës së mundësive. Suhareka ka rini të talentuar me energji dhe ide, por atyre u mungon hapësira ku ata të zhvillojnë talentet e tyre. Premtim i imi është krijimi i një qendre inovacioni për rininë e Suharekës”, theksoi ajo.

Kandidatë për deputet nga AAK prej Suharekës janë: Mensur Selimaj, Driton Maliqaj, Samir Bytyqi, Kymete Bajraktari, Jehona Rrafshi Lumi, Albana Bytyqi, dhe Bali Muharremaj.

Fushata zgjedhore ka nisur me 11 janar, ku subjektet politike kanë nisur mbajtjen e takimeve elektorale me simpatizant të tyre. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025