Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti se rreziku i një konflikti me Serbinë është i lartë.
Në një intervistë për median italiane “La Repubblica“, Kurti u shpreh se mundësitë për një luftë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë janë shumë të larta.
“Ky njeri (Albin Kurti) e dëshiron krizën. E ëndërron protagonizmin te paniku. Sikurse Vuçiq, investimet te shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshtarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol?!”, shkruan Abdixhiku.
Postimi i plotë:
Ky është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot. Jo për investime, jo për integrime, por për luftë në Kosovë. Kaq për mesazhin tonë nëpër botë.
Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë.
Kosovës i duhet stabilitet dhe zhvillim. Shteti ynë përveç sigurisë vetanake ka dhe aleancën më të madhe ushtarake, atë të NATO-s, që garanton sigurinë tonë territoriale ndaj çdo agresioni të mundshëm. Kjo është e vërteta jonë; dhe këtë të vërtetë duhet ta ushqejmë çdo ditë - duke forcuar veten në siguri e duke përforcuar aleancën me NATO-n si synim historik. Paniku ndërkombëtar rreth Kosovës së luftës e krizës e destabilitetit është interes veç i Vuçiqit e i Serbisë.