Nuk është i panjohur për zhurmat e larta, muzikanti dhe kitaristi Dave Lovos pranon se ishte pak i hutuar nga një tingull që dëgjoi në kokën e tij një natë më parë këtë vit. Ai e dëgjoi atë pikërisht kur po shkonte për të fjetur dhe fuqia e tij ishte befasuese. “Ishte një zhurmë shumë e madhe në kokën time, në majë të kafkës”, thotë Lovos dhe bashkë me shpërthimin e brendshëm shurdhues, pa dritat e makinës: “Dukej sikur të dyja kishin ndodhur përnjëherë.
Ajo që përjetoi Lovos njihet me emërtimin joshkencor, por ndjellës "sindroma e kokës shpërthyese" (EHS), një shembull misterioz i parasomnie ose çrregullimi të gjumit. Parasomnia zakonisht përfshin ecjen në gjumë, të folurit në gjumë, paralizën e gjumit dhe spazma të pakëndshme të muskujve të njohura si "dridhje mioklonike". Në shumicën e rasteve, këto parasomni janë normale dhe të padëmshme, përveç kur bëhet fjalë për dhimbje fizike. Brian Sharpless, një psikolog klinik i licencuar i specializuar për gjumë dhe studiues i EHS-së thotë se gjendja është e padëmshme dhe për sa kohë që nuk ndjeni dhimbje gjatë episodit nuk ka asgjë për t'u shqetësuar.
Jennifer McDonald Slowik, një mjeke e mjekësisë së gjumit pranë Grupit Mjekësor Frederick Health në Frederick, Maryland - SHBA dhe anëtare e bordit të Maryland Sleep Society, thotë gjithashtu se është e pazakontë që dikush të kërkojë trajtim për EHS. EHS zakonisht diagnostikohet me një vlerësim të zgjeruar të bërë nga klinikat e gjumit, thotë ajo. Sikurse Slowik, Sharpless paralajmëron se kujdesi është gjithmonë më i mirë kur bëhet fjalë për kokën. Në rastin më të keq, EHS mund të jetë një shenjë e një hemorragjie më të rrezikshme dhe vdekjeprurëse në tru.
Përplasje, të shtëna armësh dhe përplasje dyersh
EHS u emërua për herë të parë dhe u zbulua në 1876 nga neurologu i Filadelfisë, Silas Weir Mitchell, i cili shkroi për pacientët që dëgjonin "të shtëna" dhe "armë". Ai e quajti këtë fenomen “shok shqisor”. Në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, neurologu J.M.S. Pearce e ndryshoi atë në EHS. Sharpless dhe kolegu Peter Goadsby, një neuroshkencëtar në Kolegjin Mbretëror në Londër, mbrojnë ndryshimin e emrit në "shok episodik ndijor të kafkës", por ajo që shkakton zhurmën e ngjashme me shpërthimin është ende një mister.