Politikanët kryesorë të CDU/CSU kanë bërë sot thirrje për t'i dhënë fund politikës aktuale të migracionit dhe mbylljen e kufijve për refugjatët, pas sulmit në Aschaffenburg, ku një afgan vrau dy persona, duke përfshirë një fëmijë.
Kandidati për kancelar i CDU/CSU Friedrich Merz njoftoi se, nëse bëhet kancelar, do të vendosë kontrolle në të gjithë kufijtë "që nga dita e parë" dhe do të parandalojë çdo përpjekje për të hyrë ilegalisht në vend.
Ai argumentoi se rregullat e BE-së për azilin "qartësisht nuk funksionojnë" dhe se kjo është arsyeja pse Gjermania duhet të ushtrojë të drejtën e saj për të mbrojtur interesat kombëtare.
28-vjeçari afgan që sulmoi një grup fëmijësh në një park në Aschaffenburg të mërkurën, duke vrarë një dyvjeçar dhe një kalimtar që erdhi në ndihmë, nuk kishte të drejtë banimi në Gjermani.
Sipas ministrit të Brendshëm bavarez, i dyshuari ka hyrë në BE përmes Bullgarisë, por deportimi i tij në këtë vend ka dështuar për shkak se autoritetet e migracionit në Bavari nuk kanë respektuar afatet e përcaktuara në rastin e dëbimit.
Ai njoftoi gjithashtu se, nëse fiton zgjedhjet, do të ndalojë hyrjen në Gjermani për të gjithë personat pa dokumente të vlefshme udhëtimi, përfshirë të gjithë ata që dëshirojnë të kërkojnë azil në Gjermani.