Subjektet politike në Kosovë tashmë kanë hyrë zyrtarisht në fushatë për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 9 shkurt, kësaj herë me disa ndryshime. Mundësia që qytetarët të votojnë deri në dhjetë kandidatë për deputet - nga pesë sa ishte më parë - po konsiderohet ndryshimi kryesor për këto zgjedhje. E kjo, sipas monitoruesve, mund të nxisë edhe ashpërsimin e garës brenda vet subjekteve politike.
Me Ligjin e ri për zgjedhje, të miratuar më 2023, u mundësua edhe votimi i diasporës në ambasada dhe konsullata, largimi i heshtjes 24 orëshe zgjedhore si dhe numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike në qendrat e votimit.
Hulumtuesi në Institutin e Demokratik të Kosovës(KDI), Eugen Cakolli, i cili monitoron proceset zgjedhore, thotë për KosovaPress se ndryshimi esencial në zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë rritja e votës preferenciale nga pesë kandidatë në dhjetë sosh.
“Ndryshimi më esencial në raport me mënyrën sesi zhvillohet procesi zgjedhor në Kosovë është rritja e votës preferenciale nga pesë në dhjetë kandidatë. Kjo normalisht do të ketë impaktin edhe në ashpërsimin e garës brenda vet subjekteve politike, duke ditur se tashmë gara është më hapur për të gjithë kandidatët. Ndryshim tjetër është edhe mënyra e votimit jashtë vendit që tashmë veçse ka filluar, dhe vërehet një interesim relativisht i lartë i votuesve që jetojnë jashtë vendit”, thotë ai.Sipas tij, përmes kësaj do të rregullohet administrim më i mirëfilltë i zgjedhjeve.
“Me këto ndryshime të ligjit, votat nuk do të grumbullohen në të gjithë Kosovën në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, por do të numërohen në komisionet komunale zgjedhore...Numërohen vetëm për subjektet politike, kjo mundëson që sa më herët të jepen rezultatet preliminare, ndërkaq ditëve pasuese do të numërohen fletëvotimet për kandidatë në QNR”, thekson Baraliu.
Po ashtu, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur heshtja zgjedhore fillonte një ditë para votimeve, me ndryshimet ligjore ajo tashmë do të fillojë në orën 07:00 të ditës së votimit dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00 të 9 shkurtit. Rrjedhimisht, heshtja zgjedhore do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...