Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nesër do të vizitojë Kosovën, në kuadër të turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo të zhvillojë takime të ndara me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Në Qeverinë e Kosovës thonë se në takim do të diskutohet për zbatimin e agjendës së reformave, Planin e Rritjes së BE-së, si dhe përfitimet për Kosovën. Në anën tjetër, njohësit e integrimit evropian, thonë se fokusi i mesazheve të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të jetë bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe disbursimi i pagesës së parë në kuadër të Planit të Rritjes. Derisa kërkojnë edhe mesazhe të qarta për largimin e masave ndëshkuese të BE-së, ndaj Kosovës.Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se në takimin e nesërm të kryeministrit Albin Kurti me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të diskutohet për zbatimin e agjendës së reformave, Planit të Rritjes, përfitimet për Kosovën, si dhe marrëdhëniet Kosovë-BE.
Kryeziu nuk u përgjigj në pyetjet nëse presin nga Von der Leyen që nesër të marrin një datë se kur do të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës.Në anën tjetër, profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë për KosovaPress, se mesazhe kyçe të presidentes së Komisionit Evropian në Kosovë, do të jenë bashkëpunimi më i madh i vendeve të rajonit, si dhe realizimi i reformave si parakushte për integrim evropian.
Nga vlera e përgjithshme e Planit të Rritjes, prej 6 miliardë eurosh, 2 miliardë do të jenë para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në formë të kredive të favorshme.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vizitën në rajon e ka nisur të mërkurën në Shqipëri, pastaj në Maqedoni të Veriut, Bosnjë Hercegovinë, Serbi dhe pas qëndrimi në Kosovë ajo do të shkojë në Mal të Zi.