A do të ketë progres në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur?
Lajme
Lexohet për: 3 min.
pagjeturit---21-12-2024
4 orë më parë
Linku u kopjua

Themelimi i komisionit të përbashkët për mbikëqyrjen e Deklaratës për personat e zhdukur, nuk po shihet si garanci për zbatimin e saj. Në Kosovë ka zëra skeptikë se do të ketë progres në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Gjatë kësaj jave, Kosova dhe Serbia janë dakorduar në Bruksel për zbatimin e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur.

Dokumenti u miratua më 2 maj, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian.

Përkundër insistimit të Kosovës për zbatimin e saj, kjo deklaratë ka mbetur vetëm në letër.

“Ajo çfarë ka ndodhur para disa ditësh është që jemi dakorduar që të themelohet komisioni i përbashkët që ka qenë i paraparë në kuadër të deklaratës së përbashkët. Ky komision ka pasur të themelohet diku rreth qershorit të vitit të kaluar, menjëherë pas dakordimit të Deklaratës së personave të zhdukur në Bruksel. Mirëpo, ka një vit e gjysmë që Serbia në vazhdimësi ka vendosur komente të tjera, çështje teknike që ka qenë e kuptueshme - tendencën për ta zvarritur këtë proces”, deklaron Hoti për KosovaPress.

Serbia është tërhequr nga kërkesat e saj, siç thotë Hoti, dhe janë dakorduar për themelimin e këtij komisioni të përbashkët i cili do të udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.

Por, a do të prodhojë rezultat themelimi i këtij komisioni, Hoti thotë se është herët të flitet.

“A ka rezultat, a pranon Serbia të jap këto arkiva përmes këtij komisioni të përbashkët, ku kemi arritur me këtë, është herët të flasim. Sepse do të shohim se si do të rrjedhin takimet e para. Dhe takimi i parë parashihet të mbahet brenda muajit prej datës është miratuar komisioni i përbashkët që thirret nga Brukseli”, përfundoi Hoti.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj thotë se nuk ka asgjë të re në marrëveshjen e arritur gjatë kësaj jave në Bruksel.

“Nuk është diçka e re, është pritur kohë më parë të bëhet kjo. Dhe sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë nuk është një garanci që do të ketë progres të madh në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, deklaron Blakaj.

Edhe Ahmet Grajqevci nga Këshilli Koordinues i Familjarëve të Personave të Pagjetur shprehet skeptik se do të ketë progres në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Kjo cështje është dashur të zgjidhet në mënyrë humanitare dhe jo të kalojë në një proces politik që pikërisht Serbia gjithherë e ka përdorur si proces politik, ku i është dashur asaj e ka bërë një marrëveshje, e ka zgjidhur një problem politik, e ka anuluar marrëveshjen”, përfundon Grajqevci.

Me deklaratën për personat e zhdukur, palët janë zotuar për qasje të plotë në informacione të besueshme, vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, por edhe për komisionin e përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024