Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, deklaroi sot se rikthimi i idesë për organizimin e Kupës Mbarëkombëtare me Kosovën mund të bëhet i mundur vetëm nëse garantohen kushtet e nevojshme financiare dhe nëse ka interes nga klubet.
Duke iu përgjigjur interesimit të ATSH-së, lidhur me zhvillimin e një superkupe mes ekipeve kampione të Shqipërisë dhe Kosovës dhe atyre fituese të kupave respektive, në formatin e një “Final 4”, Duka theksoi se, ideja për zhvillimin e një Superkupe mes skuadrave kampione dhe fituese të kupave të Shqipërisë dhe Kosovës nuk është aktualisht në planet e FSHF.
“Për të qenë të sinqertë, nuk e kemi menduar organizimin e një Superkupe të tillë. Projekti që kemi nisur disa vite më parë ishte për Kupën Mbarëkombëtare, për të cilën hartuam edhe një plan financiar, pasi kërkon mbështetje të konsiderueshme”, u shpreh Duka për ATSH.
Ai nënvizoi se organizimi i një kompeticioni të ri kërkon jo vetëm aspektin sportiv, por edhe interes të gjerë publik dhe mbështetje financiare.Sipas Dukës, projekti i Kupës Mbarëkombëtare parashikonte mbështetje financiare për të gjitha skuadrat pjesëmarrëse, duke nisur nga kategoritë më të ulëta në të dy vendet.
“Plani ynë përfshinte mbulimin e shpenzimeve të udhëtimeve dhe akomodimit për ekipet, si dhe një fond total prej rreth 2 milionë euro në vit. Kjo është një kosto që federatat nuk mund ta përballojnë të vetme”, theksoi ai.
KosovaPress