Debati për ndërtimin e stadiumit nacional në Kosovë po rikthehet fuqishëm në qendër të vëmendjes, i nxitur nga kërkesa gjithnjë e më e madhe e tifozëve dhe mungesa e kapaciteteve aktuale për t’i përballuar ato. Interesimi masiv për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës, ka nxjerrë në pah kufizimet serioze të stadiumit “Fadil Vokrri”, ndërsa institucionet dhe akterët e ndryshëm vazhdojnë të diskutojnë për zgjidhjen më të mirë dhe më të shpejtë për ndërtimin e një impianti të ri modern.
Në këtë kontekst, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vënë theksin tek presioni i jashtëzakonshëm nga tifozët dhe pamundësia për t’i përmbushur kërkesat për bileta. Ai ka nënvizuar nevojën urgjente për një stadium të ri që përmbush standardet ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri të menjëhershme për futbollin kosovar.
Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, në një intervistë për emisionin “SportCast” në KosovaPress, ka theksuar se aktualisht një nga alternativat më të realizueshme mbetet zona e Drenasit.
Ai përmendi se tashmë është formuar një komision nga ministria, Komiteti Olimpik dhe federatat përkatëse, i cili do të bëjë vlerësimin final.