Sot bëhen 34 vjet nga vdekja e shkrimtarit dhe albanologut shqiptar, Martin Camaj në Munih. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore.
Camaj u nda nga jeta më 12 mars 1992.
Martini u lind në Dushman të Dukagjinit më 13 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë. Datëlindja 1925 duket të jetë një gabim shtypi. Vendlindja e tij është "… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Martinit.
Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t'i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen - pse jo - për meshtari.Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në kolegj.
Studimet detyrohet t'i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 - mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës. Ai themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948.
Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Univ. të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç - kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë.
Po atë vit, duke parë shëndetin në rënie të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të '56s) ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë.
Nën mentoratin e Koliqit më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoratës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistës “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi.
Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i merituar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Munih.
Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.
Këto u ndoqën nga "Djella", Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive "Legjenda", Romë 1964 dhe "Lirika mes dy moteve", Munich 1967, kishte disa poezi nga "Kânga e vërrinit", që u ribotuan në "Poezi" 1953-1967, Munich 1981.
Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij.