27 vjet nga thirrja për mobilizim në luftë, Kosova gati për “luftën” e re
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
27 vjet nga thirrja për mobilizim në luftë, Kosova gati për “luftën” e re
foto-bashk-uqk-ffk
31/03/2026 - 15:23
Linku u kopjua

31 marsi 2026 mund të bëhet një nga ditët më të mëdha për historinë e Kosovës së pasluftës. Kjo nëse kombëtarja shtetërore e futbollit, e mposht atë të Turqisë, në ndeshjen që luftohet të martën nga ora 20 e 45, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

I gjithë vendi, por edhe krejt populli shqiptar, kudo që është, në Kosovë e gjithandej, po  mobilizohet masivisht në mbështetje të 23 djemve nga të cilët pritet që me angazhimin e tyre në fushën e blertë, të shkruajnë momente të mëdha për shtetin e kombin, duke bërë realitet ëndrrën shekullore, që deri para 10 vjetëve, dukej e pamundur – pjesëmarrjen e Kosovës në Kupën e Botës 2026.

Dita dhe data e sotme, po konsiderohen të jenë gati të barabarta, për nga rëndësia mobilizuese, edhe me një ditë e datë tjetër, të 27 vjetëve më parë, atë të 31 marsit 1999.

Atë ditë, u bë thirrje për mobilizim në luftë për liri, nën emblemën e UÇK-së, kundër Serbisë e Jugosllavisë.

Veterani i Ushtrisë Çlirimtare, Gazmend Syla, i cili atëherë ishte 16-vjeçar kujton se kjo ishte e domosdoshme që gra e burra t’i bashkohen këtij rreshtimi.

“Ka vlejtur për shumë ata bashkatdhetarët tonë, të cilët nuk kanë qenë në Kosovë, ose kanë qenë duke jetuar e vepruar jashtë vendit tonë. Pra, po flasim për mërgatën tonë, por edhe për qytetarë të tjerë të cilët kishin dalë nga Kosova, nuk ishin më këtu. Ishin për shembull qoftë në Mal të Zi, qoftë në Shqipëri apo në vende të tjera, që ju lutem kushdo që jeni, burra e gra, që i plotësoni kushtet, që e keni moshën t'i bashkëngjitni luftës tonë për çlirim. Sepse kjo ishte tepër e rëndësishme, sepse nëpër kohën kur po flasim ne, në Kosovë nuk kishim edhe shumë luftëtarë, sepse kishin ndodhur ofensiva të mëdha, edhe po ashtu edhe u dëbuan popullata shqiptare edhe jashtë territorit të vendit tonë. Prandaj ishte tepër e domosdoshme që të gjithë ata burra e gra që ishin të gatshëm me i dalë zot vendit të vet, me ardhë edhe me i rrokë pushkët me na u bashku neve këtu”, rrëfen Syla.

Ftesa për mobilimin, pati efekt, edhe në mërgatë, sipas nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).

“E, bëri efektin e vet sepse mërgata jonë që, që jetonte jashtë, në një farë forme ju përgjigjën këtij, kësaj thirrje për mobilizim, e kemi këtu rastin kur shumë bashkatdhetarë tonë që kanë jetuar jashtë vendit, ju bashkëngjiten ushtrisë tonë, në këtë rast që pothuajse veç ishte gati, e kishte, ishin furnizuar mjaftueshëm me armë në kufirin shqiptaro-shqiptar aty. Pra ata erdhën aty, filluan me u stërvitë, edhe me u bë të gatshëm, do të thotë që me hy në luftë. Kjo ndodhi pak ditë më vonë, pastaj fillon edhe ky operacioni ‘Shigjeta’, po ashtu krahas saj edhe beteja e Koshares. Pra në një farë forme dha rezultat, sepse të gjithë ata mërgimtarët që, që jetonin jashtë, ju përgjigjën kësaj ftese edhe erdhën. Ju e dini edhe batalioni Atlantiku që u përgjigjet, po ashtu dhe plot bashkatdhetarë tonë erdhën edhe u bënë pjesë e radhëve të UÇK-së, më konkretisht në kufirin shqiptaro-shqiptar, pra në Koshare, në kufi atje”, tregon ai më tej.

Meqë përgjigja ndaj ftesës për mobilizim doli e suksesshme, nuk pati nevojë për një thirrje të dytë. Kjo, edhe për një arsye tjetër – intensifikimi i sulmeve ajrore nga ana e NATO-s po e dobësonte gjithnjë e më shumë Serbinë e Jugosllavinë

“Për në kohën kur po flasim ka qenë tepër e rëndësishme, po e përsëris prapë, në kohën kur ka ndodhur thirrja për mobilizim, është treguar një farë urgjence. ‘Ju lutem, ejani se ndoshta veç jena në përfundim të luftës edhe shumë shpejt ndoshta ka me intervenu edhe faktori ndërkombëtar’, ma konkretisht NATO-ja. Prandaj ‘ejani ta bëjmë edhe atë goditjen e fundit që ta përshpejtojmë edhe intervenimin e NATO-s në këtë rast. Edhe kështu ndodhi. Prandaj ishte pothuajse hera e parë që e mbaj mend, është hera e parë dhe e vetme që është thirr dhe, megjithatë, fatmirësisht nuk patëm nevojë më për thirrje të tjera”, shton ai.

Syla, i cili në fakt i ishte bashkuar UÇK-së para ftesës për mobilizim të 31 marsit 1999, thotë se është atmosfera e këtyre ditëve në Kosovë, po i ngjan, në njëfarë mënyre, të paktën në shtimin e emocioneve kombëtare, kohës së para 27 vjetëve.

“Shqiptarët e kanë dëshmuar një gjë të tillë, sa herë që janë bërë bashkë, kanë dalë fitimtarë. Prandaj kjo ka qenë tepër e rëndësishme atëherë, është tepër e rëndësishme edhe sot, edhe sikur më parë edhe sot”, përfundon ai.

Nëse Kosova fiton ndeshjen kundër Turqisë, që luhet sonte në Fadil Vokrri, siguron, për herë të parë pjesëmarrjen në kampionatin botëror të futbollit që mbahet në qershor e korrik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë e Kanada. Një gjë të tillë nuk e kanë bërë shtete e kombëtare shumë më të vjetra së Kosova.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026