25 vjet nga krismat e para të UÇK-së në Maqedoninë e atëhershme, rrëfime nga fillimi i luftës
Intervista
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
25 vjet nga krismat e para të UÇK-së në Maqedoninë e atëhershme, rrëfime nga fillimi i luftës
h_99444214
16/03/2026 - 15:26
Linku u kopjua

Mesi i marsit shënon fillimin e luftës në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë – sot Maqedonia e Veriut.

Më 14 mars të vitit 2001 u dëgjuan krismat e para të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që gati gjashtë muaj më pas çuan në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo u nxit nga diskriminimi i vazhdueshëm i shqiptarëve atje.

Dy vjet pas çlirimit të Kosovës, shumë ushtarë nga këtu u bën pjesë e radhëve në Maqedoni të Veriut, pothuajse në dizajn e simbol të njëjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tërë këta muaj ka raportuar nga vendi i ngjarjes për median ndërkombëtare “BBC”, korrespodenti Seladin Xhezairi.

Njëzet e pesë vjet pas, ai kujton për KosovaPress se si u dëgjuan këto krisma armësh në qytet të cilat vinin nga Kalaja e Tetovës.

“Po më kujtohet si sot ka qenë një tubim proteste në qytetin e Tetovës në mbështetje të Universitetit të Tetovës të cilin kreu politik maqedonas i atëhershëm e kundërshtonte me vendosmëri. Dhe përderisa oratorët flisnin në sheshin e Tetovës, të thuash në vija ajrore 150, 200 metra më larg, u dëgjuan breshëri armësh dhe kjo ndodhi në kalanë e Tetovës. Me pak fjalë, kur i rikthehem atij momenti, kujtoj se lideri i atëhershëm i Partisë së Prosperitetit Demokratik, Abdurrahman Aliti, një jurist i njohur dhe anëtar i komisionit kushtetues që hartoi kushtetutën e parë të Maqedonisë së pavarur, duke parë se të gjitha amendamentet e palës shqiptare atë botë refuzoheshin, nuk nguroi ta cilësojë atë dokument të sapo miratuar si gjenerator të krizës. Dhe të thuash 10 vjet, një dekadë më pas, ndodhën krismat e para të cilat çuan në arritjen e marrëveshjes së Ohrit, që ishte një kompromis mes palës shqiptare dhe asaj maqedonase”, rrëfen Xhezairi për KosovaPress.

Këto krisma shënuan edhe fillimin e luftës disa mujore mes forcave ushtarake-policore maqedonase dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të prirë nga Ali Ahmeti.

Seladin Xhezairi thotë se atë kohë kishte raportuar për të gjitha zhvillimet nga Likova, Kumanova, në rrafshin e Pollogut dhe Haraçinën e Shkupit.

E gjithë kjo luftë u nxit si pasojë e diskriminimit të vazhdueshëm të shqiptarëve atje, thotë historiani dhe profesori universitar, Nuri Bexheti.

Në gusht të vitit 2001 u arrit Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoninë e atëhershme. Ky dokument i nënshkruar u arrit me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila dha kontribut për zgjidhjen politike të krizës ndëretnike në vendin fqinj.

Gazetari Seladin Xhezairi thotë se përgjatë viteve ka pasur avancim, mirëpo në dy vitet e fundit po vazhdon të jetë temë diskutimi çështja e gjuhës.

Ish-ushtari i UÇK-së dhe historiani, Nuri Bexheti thotë se elita shqiptare atje duhet të jetë unike.

Çështja e gjuhës është gati më e diskutuara në Maqedoni të Veriut kur flitet për të drejtat e shqiptarëve në shtetin shumëkombësh.

Së fundmi, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski e ka nxitur edhe një valë reagimesh nga partitë shqiptare. Kjo, derisa u diskutua për kushtetutshmërinë e sistemit “Safe City” tha se SMS porositë duhet të dërgohen tek qytetarët në maqedonisht e anglisht, por jo edhe në gjuhën shqipe. Për më tepër, tha se kushtetuta e obligon çdo qytetarë që ta njoh gjuhën maqedonase.

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë edhe për gjuhën shqipe. Në Maqedoninë e Veriut me rreth 2 milionë banorë, shqiptarët përbëjnë gati 30 për qind të popullsisë. /Sh.Pajaziti/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026