Dita botërore e poezisë është shpallur më 21 mars 1999 në Kongresin e 30-të të UNESCO-s dhe synon mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike.
Caktimi i kësaj dite është bërë edhe me qëllimin për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë - traditën gojore.
UNESCO kërkon që përmes recitaleve të ndryshme, përmes takimeve poetike dhe mbrëmjeve artistike të krijojë një urë lidhjeje mes poezisë dhe formave të tjera të artit si teatri, kërcimi, muzika, piktura, e në të njëjtën kohë të mbështesë poetët e rinj, t’i promovojë ato dhe të krijojë një imazh tërheqës për poetin, që shpeshherë shihet si dikush që nuk është më në modë.
Dita botërore e poezisë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh.Para caktimit të 21 marsit, si dita botërore e poezisë, ishte 15 tetori që kremtohej në të gjithë botën me aktivitete të larmishme letrare, pasi përkonte me datëlindjen e poetit romak - Virgjili. Në disa vende kjo traditë e të festuarit në muajin tetor vazhdon të ruhet ende.