20 mijë euro për të garuar në Superligë, klubet i reagojnë FBK-së
Sport
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
20 mijë euro për të garuar në Superligë, klubet i reagojnë FBK-së
23/07/2026 - 13:32
Linku u kopjua
“I kemi takuar klubet edhe u kemi thënë: E dini çka? Keni marrë, keni vjelë, kemi vjelë, jo keni vjelë, kemi vjelë të gjithë prej këtij suksesi që kemi arritur. Po tash duhet me i nisur me i paguar të gjithë. Sepse federata nuk mundet me e përballuar këtë kosto...Ne i kemi domethënë tre klube të cilat e marrin 1 milion euro në vit. E kanë buxhetin e tyre 1 milion euro në vit. 1.2 milion euro prej sponsorizimeve. Lëri anash edhe të hyrat e veta vetanake të cilat i kanë. Nëse jemi duke folur për një klub me përmasa të tilla, atëherë nuk i kushton asgjë me i dhënë për fillim 20, 30, 40 ose 50 mijë euro”, deklaroi Fetahu.
Ky paralajmërim i dhënë nga kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës Arben Fetahu, në emisionin SportCast, u bë vendim zyrtar i kësaj federate vetëm pak ditë më pas.
FBK ka vendosur që klubet e Superligës së Basketbollit të Kosovës do të paguajnë 20 mijë euro në formë kuotizimi për garim në Superligë, shifër kjo shumëfishë më e lartë krahasuar më 1500 euro sa ishte deri më tani.
Për përfaqsuesit e klubeve të Superligës, ky vendim ishte i papritur dhe konsderojnë është është barrë e madhe financiare.
Drejtori i KB Ylli, Lendrit Palushi, tha për KosovaPress se klubet kanë qenë të informuara paraprakisht për rritjen e kuotizimit para fillimit të sezonit, por vlerësoi se arsyetimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës për këtë vendim nuk është plotësisht i qëndrueshëm. Sipas tij, edhe pse klubet mund ta përballojnë pagesën, do të ishte më e pranueshme një mënyrë më fleksibile e pagesës.
“Ne kemi qenë të njoftuar edhe pak më herët që do të na duhet të paguajmë një kuotizim me vlerë të re kundrejt sezoneve të kaluara ku ka qenë 1 mijë e 500, me arsyetimin që federatës realizimi ose mbarëvajtja e Superligës së meshkujve po i kushton më shumë. Mirëpo kjo vlerë është në rregull për shumicën e klubeve pasi që ne operojmë, të gjitha klubet operojnë me buxhet bajagi të mirë. Mirëpo arsyetimi që Superliga e meshkujve po i kushton federatës shumë, nuk do të ishte ndoshta arsye e pranuar pasi që shumica e sponsorëve të federatës vijnë nga Superliga, ndoshta edhe para Kombëtares së Kosovës... Nuk e besoj që klubet e tjera nuk do të mund ta paguajnë, ne të gjitha klubet mund ta paguajmë atë vlerë, por ndoshta me një marrëveshje më të mirë, ose me më shumë këste, sepse federata e ka dhënë edhe një opsion që mundesh me u pagu edhe me dy kësteedhe kush e paguan menjëherë ka zbritje 20 përqind”, tha Palushi.
Nga ana tjetër, drejtori i KB Bashkimi, Qëndrim Biraj, e cilësoi si të papritur vendimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës për rritjen e kuotizimit për klubet e Superligës. Ai tha se bëhet fjalë për një barrë të konsiderueshme financiare, sidomos për klubet me mundësi më të kufizuara.
“Pa dyshim që edhe për ne ka qenë e papritur ky vendim. Është goxha një kapërcim i madh financiar. Është barrë shtesë për secilin ekip, po besoj për disa ekipe është edhe më e rëndë. Mirëpo, sido që të jetë, është vendimi i federatës, aty kanë qenë edhe përfaqësuesit e pothuajse të gjitha klubeve në bord, edhe e kanë aprovuar këtë farë sistemi të ri”, u shpreh Biraj.
Ndërsa, përfaqësuesi i KB Trepça, Edin Vërbiqi, vlerësoi se vendimi i fundit i FBK-së për rritjen e kuotizimit është marrë për t'i ndihmuar Federatës në tejkalimin e sfidave financiare, por paralajmëroi se ai do të krijojë vështirësi shtesë për klubet në prag të sezonit të ri.
“Vendimi i fundit i marrë nga Federata e Basketbollit të Kosovës, por edhe ngjarjet e fundit, mendoj se është një vendim ad-hoc, në kuptimin që do t’i ndihmonte Federatës t’i tejkalojë disa sfida financiare, për të cilat ne si klube e kemi parë se po kalon. Mirëpo, në aspektin operacional për klubet, sidomos në këtë fillim sezoni, kur jemi në fazën përgatitore, në procesin e kompletimit të ekipit dhe krijimit të boshtit të skuadrës, si dhe në përgatitjet për pjesëmarrje në arenën ndërkombëtare, në këtë rast në FIBA Europe Cup, ku jemi pjesëmarrës, mendoj se kjo është një barrë e shtuar. Për secilin prej klubeve pjesëmarrëse të Superligës, duke pasur parasysh se ka edhe klube me buxhete dhe mundësi financiare më të kufizuara, unë mendoj, si përfaqësues i Klubit të Basketbollit Trepça, se ky vendim do të sjellë telashe dhe do të krijojë vështirësi për klubet”, theksoi Vërbiqi.