Më 24 korrik 2006 u mbajt takimi i zyrtarëve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë në pallatin Niederosterich, në Vjenë të Austrisë.
Aty prezent ishin Agim Çeku - kryeministër i Kosovës, Fatmir Sejdiu - president i Kosovës, Vojslav Kostunica - kryeministër i Serbisë, Boris Tadiq - president i Serbisë dhe anëtarët tjerë.Në Kosovë ky takim u përshkruante si "takimi i elefantëve". Lëvizja "Vetëvendosje" protestoi në Prishtinë kundër bisedimeve.
Por çka ndodhi më pas ?
Ndërsa, më 7 gusht 2006 vazhdojnë bisedimet mes autoriteteve kosovare dhe serbe në Vjenë. Në fokus ishte decentralizimi. Delegacioni shqiptar drejtohet nga Veton Surroi. Pas mbarimit të këtyre takimeve thuhet se ka pasur progres minimal.
Më 28 dhe 29 tetor 2006 mbahet referendum në Serbi për kushtetutën e re që u hartua brenda disa muajve pa debate publike. Në kushtetutë nënvizohet se Kosova është "pjesë e pandarë e Serbisë". Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin me titullin "Serbia’s Neë Constitution: Democracy Going Backëards", kritikoi përmbajtjen dhe mënyrën se si është hartuar kushtetuta.
24 janar 2007: Asambleja e Këshillit të Evropës (Council of Evrope) miraton rezolutën 1533 në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës. Disa nga nenet e projektrezolutës që u paraqit para përfaqësuesve nga e gjithë Evropa u hoqën për shkak se disa përfaqësues të prirë nga Serbia, Rusia dhe Greqia votuan kundra inkuadrimit të tyre në rezolutën përfundimtare. Njëri nga nenet ishte dhe ai për pavarësinë ku thuhej se Kosova duhet të merr pavarësi për të siguruar paqe në Ballkan. Rezoluta që u miratua nuk përmban fjalën pavarësi, por thotë se një zgjidhje e negociuar preferohet nga ky këshill por nëse kjo zgjidhe nuk arrihet atëherë është nevojshme që zgjidhja përfundimtare të imponohet.
26 janar 2007: Ahtisaari takim me të ashtuquajturin Grupi i Kontaktit që përbëhet nga ShBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia. Nuk kishte prononcim për media dhe takimi ishte me dyer të mbyllura, por njoftohet se Ahtisaari ka informuar se do të propozoj pavarësi të kushtëzuar.[19][20] Në të gjitha shtetet e botës njoftohet se Kosova do të marr pavarësi të kushtëzuar.[21] Mediat lajmërojnë se Rusia është skeptike në lidhje me planin e Ahtisaarit. Sekretari gjeneral i NATO-s holandezi, Jaap de Hoop Scheffer shprehet se NATO përkrah planin e Ahtisaarit në lidhje me statusin e Kosovës.
10 shkurt 2007: Lëvizja "Vetëvendosje" organizon protestë në Prishtinë kundra pakos së Ahtissarit që ata mendojnë nuk i bien Kosovës pavarësi. Disa nga protestuesit filluan të përleshen me policinë (që përbëhej nga ata kosovar dhe ndërkombëtar). Policia u përgjigje me dhunë ndaj të gjithë protestuesve. Dhjetëra të lënduar. Më 11 shkurt u njoftua se dy (Vetëvendosje thotë tre) protestues kanë vdekur nga plagët që morën një ditë më parë nga dhuna e policisë. Të vdekurit janë Arben Xheladini (1972) nga Prishtina dhe Mon Balaj (1976) nga Besiana. KMLDNJ dënon dhunën e policisë ndaj protestuesve dhe e quan një krim atë që ka bërë policia. KMLDNJ së bashku me Prishtinën zyrtare kërkojnë hetim të gjerë të asaj që ndodhi. ¨Pas mbarimit të protestave në zyrat e lëvizjes "Vetëvendosje" arrestohet lideri i lëvizjes Albin Kurti.
12 shkurt 2007: Ministri Brendshëm i Kosovës, Fatmir Rexhepi, jep dorëheqje pas dhunës në protestat e 10 shkurtit të organizuara nga Vetëvendosje ku vdiqën dy shqiptar të rinj. Ai thotë se ndjenë përgjegjësi morale, edhe pse policia as ajo e UNMIK dhe as SHPK nuk janë nën kontroll të tij. Po këtë ditë Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ) viziton Albin Kurtin në paraburgim.
14 shkurt 2007: Stephen Curtis, shef i policisë ndërkombëtare në Kosovë, jep dorëheqje pas kërkesës së kryeadministratorit Joachim Ruecker.
21 shkurt 2007: Negociata të reja në Vjenë që kanë për qëllim gjetjen e një kompromisi. Pas këtyre negociatave njoftohet se asgjë nuk është arritur dhe se qëndrimet e të dy palëve janë të njëjta: shqiptarët duan pavarësi kurse serbët ofrojnë autonomi. Edhe Ahtisaari por edhe ndihmësit e tij kishin sinjalizuar se këto negociata nuk do të sjellin asgjë. Albert Rohan, anëtar i ekipit të Ahtisaarit i tha BBC se këto negociata janë shansi i fundit për kompromis.
10 mars 2007: Në Vjenë të Austrisë mbarojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve pa marrëveshje. Të pranishëm ishin krerët e Kosovës (Fatmir Sejdiu, Agim Ceku, Kolë Berisha dhe të tjerë) dhe Serbisë (Boris Tadic, Vojislav Kostunica dhe të tjerë) si dhe i dërguari i OKB-së për statusin, Martti Ahtisaari. Ahtissari shprehu keqardhje që nuk është arritur asnjë marrëveshje. Ai edhe njoftoi se dokumenti përfundimtar për statusin e Kosovës do ti dërgohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së në fund të këtij muaji.
15 mars 2007: Albert Rohan, bashkëpunëtor i Martti Ahtisaari i dorëzon OKB-së propozimin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Sipas burimeve të agjencisë së lajmeve, Reuters, plani direkt propozon pavarësi për Kosovën.
29 mars 2007: Parlamenti Evropian miraton një rezolutë ku shprehet përkrahja për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. 490 vota pro, 80 kundër dhe me 87 abstenime.
3 prill 2007: Fillon shqyrtimi i planit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Pas dyerve të mbyllura është dëgjuar i dërguari special për Kosovën Marti Ahtisari duke shpalosur planin që pritet t'i jap Kosovës një pavarësi të mbikëqyrur. Ishte planifikuar që edhe Fatmir Sejdiu të merrte fjalën por pas protestave të Serbisë dhe Rusis u vendos që ai të mos flas dhe fjalimin e tij ta lexoj PSSP-ja Joachim Ruecker. Kryeministri nacionalist i Serbisë, Vosjlav Kostunica, kundërshtoi planin dhe kërkoi negociata dhe kryenegociatorë të ri. Shtete perendimore si ShBA, Britania e Madhe, Franca po përkrahin planin e Ahtisaarit.
13 prill 2007: Këshilli i Sigurimit i OKB-se njofton se ka vendosur të dërgoj në Kosovë në fund të prillit një mision faktmbledhës pas kërkesës së Rusisë që ka të drejtë vetoje në këtë këshill.
17 prill 2007: Zëvendësministri i jashtëm i ShBA-ve, Nicholas Burns, në një fjalim para Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington tha se Uashingtoni e konsideronte pavarësinë si opsionin më të përshtatshëm për Kosovën dhe se ai priste që Këshilli i Sigurimi të aprovonte planin për pavarësi të prezantuar nga i ngarkuari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari. Ai edhe shtoi se autonomia ofruar nga Serbia është dashtë të ofrohej para 12 vjetëve dhe jo tani. Kai Eide, zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë thotë se Norvegjia përkrah planin e Ahtisaarit për pavarësi dhe se ai nuk e ka ndërmend të bëhet ndërmjetësues siç ishte kërkuar nga serbët.
Zhvillimet vazhdojnë deri në shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.