Në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) u zhvillua mbledhja e Komisionit Teknik Këshillimor, me fokus masat për sezonin e zjarreve, situatën aktuale në vend dhe koordinimin ndërinstitucional.
Takimi u drejtua nga drejtori i Përgjithshëm i AKMC-së, Haki Çako, i cili theksoi se mbledhja zhvillohet në zbatim të Planit Kombëtar për Emergjencat Civile dhe ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit mes të gjitha strukturave të mbrojtjes civile.
“Ky takim zhvillohet në zbatim të Planit Kombëtar për Emergjencat Civile dhe ka për qëllim koordinimin e të gjitha strukturave të sistemit të mbrojtjes civile për përballimin e sezonit të zjarreve. Prioriteti ynë mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, e shëndetit, e pronës dhe e mjedisit. Është e rëndësishme që të gjitha strukturat të jenë kompakte dhe reaguese për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe turistëve në të gjithë vendin”, u shpreh ai.
Sipas kreut të AKMC-së, nga 22 qershori e deri më sot janë regjistruar 160 zjarre në të gjithë territorin e vendit, prej të cilave 127 raste kanë qenë zjarre në sipërfaqe me bimësi, shkurre, ferra dhe kullota.Ai theksoi se koordinimi me Policinë e Shtetit, shërbimin zjarrfikës (MZSH), Urgjencën Kombëtare dhe Forcat e Armatosura është i vazhdueshëm, me qëllim menaxhimin sa më efektiv të çdo vatre zjarri.
“Nga data 22 qershor deri më sot janë regjistruar 160 zjarre në të gjithë territorin e vendit. Nga këto, 127 raste kanë qenë zjarre në sipërfaqe me bimësi, shkurre, ferra dhe kullota. Strukturat kanë reaguar në kohë për izolimin dhe shuarjen e tyre. Të gjitha kapacitetet operacionale të sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë. Falë investimeve të kryera dhe angazhimit të bashkive, prefekturave, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, shërbimit zjarrfikës dhe Urgjencës Kombëtare, jemi të përgatitur për të menaxhuar çdo situatë”, tha ai.