Sot mbushen 126 vjet nga themelimi i Besëlidhjes së Pejës. Në fund të shekullit 19-të tokat e banuara me shqiptarë u vunë nën rrezik, pasi fqinjët ballkanikë filluan aktivisht agresive për të pushtuar territoret e Maqedonisë, që do të shpinte drejt Luftërave Ballkanike.
Territori i kontestueshëm i përfshinte edhe katër vilajetet shqiptare. Patriotët shqiptarë filluan përgatitjet për krijimin e një organizate të re për t’iu bërë ballë këtyre rreziqeve në vjeshtën e vitit 1896.
Në këto rrethana të ndërlikuara rifilluan përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për bashkimin e gjithë popullit dhe për krijimin e një lidhjeje të re, e cila, sipas shembullit të Lidhjes së Prizrenit, do t’i udhëhiqte shqiptarët në luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për çlirimin e saj.
Vatër e përpjekjeve të tilla për formimin e një lidhjeje të re, ashtu si në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) edhe tani, më 1899, u bënë përsëri qytetet e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Dibrës, të cilat kërcënoheshin drejtpërdrejt nga qarqet e Serbisë, të Bullgarisë e të Malit të Zi.Gjatë kësaj kohe u mbajtën mbledhje të gjëra të përfaqësuesve të popullsisë së qyteteve e të rrethinave, si në Pejë, Mitrovicë, Prishtinë, Vushtrri, Drenicë e në qendra të tjera të vilajetit të Kosovës, ku shqiptarët dhanë besën dhe shprehën gatishmërinë për të formuar lidhjen.
Këto mbledhje të njëpasnjëshme të popullsisë shqiptare, si edhe letërkëmbimi i dendur i Haxhi Zekës me qendrat e ndryshme të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, Manastirit e të Janinës, tregojnë se organizatorët e Lidhjes kishin ndërmend të thërrisnin një kuvend të përgjithshëm shqiptar, ku të merrnin pjesë delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe të të gjitha besimeve, myslimanë, katolikë e ortodoksë.
Fryt i këtyre përpjekjeve ishte thirrja e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, i cili i zhvilloi punimet e tij në Pejë më 23-29 janar të vitit 1899, ku morën pjesë përfaqësues të parisë dhe të popullsisë së vilajetit të Kosovës, si dhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të Manastirit e të Janinës. Këtu u shpall formimi i lidhjes së re shqiptare që, sipas shembullit të Lidhjes të Prizrenit të vitit 1878, u quajt Lidhja e Pejës.
Ndërsa 36 delegatët, që gëzonin të drejtën e votës, vinin nga qytetet e vilajetit të Kosovës dhe ishin përfaqësues të shtresave të mesme qytetare e fshatare, mësues të shkollave gjysmë të mesme dhe të medreseve turke, nëpunës të administratës lokale, çifligarë të mëdhenj, nëpunës të lartë, klerikë etj.
Midis tyre ishin Haxhi Zeka, Halil Hasan pashë Begolli, Myderiz Ismaili, Myderiz Abdullahu, Myfti Salihu, Bajram Curri, Myderiz Mehmet Hamdiu, Mehmet Aqifi, Zenel Beu, Ali Pashë Draga nga Rozhaja, Ismail Haki Pashë Tetova, Abdyl Halimi, Mehmet Sherifi, Myderiz Abdyli, Naxhi Mehmet Sulejmani, Mehmet Aqifi, Mehmet Tahiri, Mehmet Murati ng a Senica etj.
Sanxhaku i Dibrës i vilajetit të Manastirit u përfaqësua nga Selim Rusi, intelektual dhe atdhetar i shquar i kësaj treve.
Mjaft delegatë nga qytetet e vilajetit të Shkodrës, Manastirit e të Janinës, që nuk mundën të shkonin në Kuvendin e Pejës për shkak të pengesave që u nxorën autoritetet osmane, i kumtuan Kuvendit se i miratojnë vendimet e tij dhe se ruajnë të drejtën për të marrë pjesë në Lidhjen Shqiptare.
Kuvendi i Pejës mori vendime të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, siç ishin Rezoluta (Kararnameja) prej 11 pikash dhe Akti i Besës prej 12 pikash, që u miratuan në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kuvendit më 28 janar dhe u shpallën publikisht më 29 janar 1899.
Në vendimet e Kuvendit u shpall formimi i Lidhjes ose, sikurse quhej në Rezolutë, i Ittifakut dhe u vendos Besa ndërmjet shqiptarëve.Për të arritur këtë bashkim u vendos që të ndaloheshin gjakmarrjet, armiqësitë e grindjet dhe parashikoheshin dënime të rrepta si për këto, ashtu edhe për veprimet e tjera që cenonin rendin publik.
Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore e të dorës së parë mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë kundër çdo orvatjeje që Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të ndërmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare.
Në këto kushte Lidhja e Lëvizja Kombëtare Shqiptare në tërësi pësuan humbje të rënda, që çuan në rënien e tyre dhe të luftës për autonominë e Shqipërisë. Në fundin e vitit 1900, Lidhja e Pejës u shtyp pa arritur të përmbushte detyrat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.