Autoritetet në Maqedoni të Veriut kanë ndaluar përkohësisht përdorimin e ujit të pijshëm nga ujësjellësi i Gostivarit, ndërsa po zhvillohet një hetim i gjerë për të zbuluar nëse sistemi i furnizimit është kontaminuar nga pompa të vendosura në mënyrë të paligjshme. Vendimi u mor pasi në qytet u regjistrua një numër i pazakontë i qytetarëve me simptoma gastrointestinale.
Situata më shqetësuese është regjistruar në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad”, ku gjatë ditëve të fundit ndihmë mjekësore kanë kërkuar rreth 1.000 deri në 1.200 persona. Për shkak të fluksit të madh të pacientëve, spitali ka angazhuar personel shtesë në repartet më të ngarkuara, njofton INA.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka hapur procedurë parahetimore pas njoftimit të policisë për dyshime se uji i pijshëm mund të jetë ndotur për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit.
Prokurori publik i shtetit, Nenad Saveski, deklaroi se të gjitha institucionet kompetente janë përfshirë në hetim dhe se aktualisht po mblidhen prova për të përcaktuar nëse rasti përbën vepër penale.Drejtoresha e institutit, Marija Andonovska, bëri të ditur se rezultatet priten brenda 48 orëve.
Edhe Qendra e Shëndetit Publik në Gostivar ka konfirmuar se janë marrë mostra nga katër pika të ndryshme të rrjetit, ndërsa analizat do të tregojnë nëse uji është shkaku i problemeve shëndetësore të raportuara.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme e vendit bëri të ditur se ekzistojnë dyshime se Ndërmarrja Publike “Vodovod”, në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit, kishte instaluar tre pompa për të rritur presionin në rrjet, duke futur ujë direkt në gypin kryesor për shkak të mungesës së ujit të pijshëm.
Në zbardhjen e rastit janë përfshirë policia, prokuroria, Instituti i Shëndetit Publik, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, si dhe një ekspert gjyqësor i licencuar, i cili do të kryejë ekspertizën e sistemit të dyshuar si të vendosur në kundërshtim me ligjin.