Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, prej 12 ditësh është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai nisi vizitën e tij më 6 maj ndërsa ishte në qendër të kritikave për shkak të mungesë së takimeve me përfaqësues të lartë të shtetit amerikan. Takimet e tij kanë qenë kryesisht me kompani të teknologjisë së informacionit për t’ju dhënë garanci për investime në Kosovë, ndërsa nuk kanë munguar as takimet me mërgatën.
Zyra e Kryeministrit nuk ka publikuar asnjëherë agjendë të takimeve, por vetëm komunikata pasi ato kanë ndodhur. Siç nuk bëhet e ditur as kohëzgjatja e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara që pritet të vazhdojë edhe këtë javë.
Më pas, Kurti ndaloi në qendrën e famshme botërore të teknologjisë së informacionit, në Silicon Valley të Kalifornisë. Aty ka takuar drejtues të kompanisë LinkedIn, pastaj të VMWare, Sumeru Equity Partners, Andreessen Horowitz dhe te Miller Center for Social Entrepreneurship, Airbnb dhe Microsoft.
Në këto takime, sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka treguar për potencialin e Kosovës në IT, infrastrukturën dhe burimet njerëzore, duke synuar që të bind këto kompani të investojnë në Kosovë.
Vizitat Kurti i vazhdoi në kompaninë Uber, ku edhe aty u tha se iu foli për potencialin dhe kapacitetet e Kosovës në fushën e teknologjisë së informacionit.
Kurti është takuar edhe me investitorë, akademikë e profesionistë në Këshillin për Çështje Botërore të Dallasit (World Affairs Council of Dallas) /Fort Worth. Fuqia punëtore profesionale e Kosovës, kosto e ulët operative për kompanitë e teknologjisë së informacionit, zhvillimi ekonomik dhe përparimi demokratik u veçuan nga kryeministri Kurti si arsye pse Kosova ofron një mundësi të artë për investime të reja.
Iowa ishte një tjetër ndalesë për Kurtin. Fillimisht ai u dekorua nga Senati me medaljen e Shërbimit të Jashtëm të Shquar të Iowas.
Kurti më pas takoi komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajorin Benjamin J. Corell, që i kërkoi që mbështetja për ngritjen profesionale të FSK-së të vazhdojë sikurse deri më tani.
Takime ndaras pati edhe me guvernatoren e Iowas, Kim Rejnolds, sekretarin e Bujqësisë të shtetit të Iowa-s, Mike Naig dhe komunitetin e biznesit në Ioëa. Temë kryesore në këto takime ishte partneriteti në fushat zhvillimore.
Në prani të mërgatës sonë, përfaqësuesve institucionalë dhe personaliteteve nga Iowa, kryeministri përuroi edhe hapjen e Shërbimeve Konsullore në Iowa. Në këtë ceremoni, u bë edhe prerja formale e shiritit.
Kompania MATTER dhe UCX ishin ndalet e radhës të kryeministrit Kurti. Mundësitë e bashkëpunimit me të parën, dhe shtimin e investimeve në Kosovë me të dytën, ishin çështjet që u diskutuan në këto takime.
Gjatë qëndrimit në Chicago, të shtetit Illinois të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ftesë të Katedrës së Albanologjisë “Hidai Eddie Bregu”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vizitoi Universitetin DePaul, ku mbajti edhe një ligjëratë të hapur.
Kurti në ditën e parë të qëndrimit të tij në Michigan, me ftesë të Organizatës së Studentëve Shqiptarë, pati një diskutim të hapur me studentë të Universitetit të Michigan-it. Ai u tha se foli për punën e deritanishme të Qeverisë, sukseset dhe planet për pjesën tjetër të mandatit.
Në Detroit të Michigan, kryeministri zhvilloi takim edhe me shoqatën e bizneseve “Automation Alley”. Aty prezantoi mundësitë për investime në Kosovë dhe për potencialin në rritje të vendit tonë në teknologjinë e informacionit. Ai i ftoi për vizitë në Kosovë për të hulumtuar nga afër mundësitë, që tregu i Kosovës ofron.
Po në Michigan, si pjesë e dialogut me mërgatën, Kurti, ka takuar bashkatdhetarët që punojnë në këtë shtet. Më pas mori pjesë edhe në një tubim të organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare Shën Pali.
Kurti u prit në takim edhe nga drejtuesit e KODE Labs—KOsova & Detroit, një tjetër kompani në fushën e teknologjisë. Këtë kompani, Kurti e quajti shembull të investimit të kompanive amerikane në Kosovë.
Një takim tjetër pati edhe me kongresistin Jim McGovern, njëherësh kryetar i Komisionit për Rregulla të Dhomës së Përfaqësuesve.
Kryeministri Kurti është pritur në takim nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan. Kurti pati falënderime për Sullivan për mbështetjen e SHBA, ndërsa Zyra e Kryeministrit tha se amerikani pati falënderim për Kurtin për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë në Kosovë.
Ndryshe, për sonte në ora 21:30 me orën tonë lokale, Kurti është i ftuar në Këshillin Atlantik (Atlantic Council) për të diskutuar rreth prioriteteve të politikave vendore, politikës së jashtme dhe agjendës së tij, drejt përmbushjes së tyre.
Vizita e Kurtit në Shtetet e Bashkuara llogaritet të jetë ndër më të gjatat e një lideri shtetëror të Kosovës në një vend tjetër.