Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka qëndruar sot për vizitë në Shoqatën e të Pagjeturve në Komunën e Mitrovicës, ku ka takuar familjarët dhe nënat e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Gjatë kësaj vizite, Haxhiu theksoi se vetëm në Mitrovicë janë të zhdukur 104 persona, për fatin e të cilëve ende nuk ka informacione.
Kryetarja e Shoqatës së të Pagjeturve në Mitrovicë, Gjyla Haziri, e cilësoi si alarmuese situatën me numrin e personave ende të zhdukur, duke kërkuar presion më të madh ndaj Serbisë.
“Ne si familjarë kërkojmë drejtësi, kërkojmë nga institucionet e Kosovës të bëjnë presion tek vendorët, vendorët mbi shtetin serb, të dalë drejtësia në shesh. 104 në Mitrovicë edhe 1566 persona ende të pagjetur pas 27 viteve, kjo është një tmerr i madh për Kosovën. Nuk po them që nuk kanë punuar Qeveria e Kosovës, kanë punuar aq sa kanë mundur, por ndërkombëtarëve bëj apel që të bëjnë më shumë presion tek Serbia”, tha Haziri.“E kam vëllain e zhdukur Ilmi Cimilin, në ’99-ën është zhdukur, i ka pasur 33 vjet. Na kanë hyrë në mal forcat serbe, na kanë marrë vëllain edhe tre fëmijë, fëmijët i kemi gjetur në Vllahi, e vëllain jo. Vëllain prej asaj dite më kurrë s’dimë asgjë për të. Kisha bërë apel me marrë masa e me ditur bile ku e ka varrin”, tregoi Sinani.
Çështja e personave të zhdukur me dhunë mbetet një nga plagët më të rënda të pasluftës në Kosovë. Edhe pas më shumë se dy dekadash, mbi 1,500 persona vazhdojnë të jenë në listën e të pagjeturve, ndërsa familjet e tyre përballen çdo ditë me mungesën e informacionit dhe drejtësisë.