1 Maji, Kurti bën thirrje për solidaritet dhe organizim sindikal
Lexohet për: 4 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, duke bërë thirrje për solidaritet dhe organizim sindikal me rastin e 1 Majit, ka thënë se ‘lufta e punëtorëve në sektorin privat kundër punëdhënësve oligark nuk paraqitet, shtypet e ndrydhet dhe mbahet qëllimisht e heshtur’.

Kurti ka shkruar në Facebook se Qeveria është aleate e punëtorëve, duke shtuar se duhet më shumë bashkim, më shumë organizim e më shumë fuqi.

“1 Maji na mëson se vetëm të bashkuar në shoqëri dhe në vendin e punës mund t’i sigurojmë të drejtat tona e të punojmë për një të ardhme prosperuese për të gjithë. Ky mësim është i vlefshëm sidomos sot marrë parasysh makro agresionin në botë me pandemi, luftë, autoritarizma në ngritje dhe kriza ekonomike. Megjithëkëtë, mikro agresioni i çështjeve të tjera që në përditshmëri prekin jetën dhe punën e punëtorit ka tendencë të shtyhet e të lihet anash dhe kjo nuk bënë të ndodhë. E shohim edhe në vendin tonë, nga njëra anë i jepet hapësirë dhe provohet të projektohet një interesim për çështje që lidhen me gjeopolitikë dhe fqiun autokratik, kurse në anën tjetër lufta e punëtorëve në sektorin privat kundër punëdhënësve oligark nuk paraqitet, shtypet e ndrydhet dhe mbahet qëllimisht e heshtur. Punëtorët në sektorin privat duhet të jenë në solidaritet me njëri-tjetrin dhe të organizohen nëpër sindikatat e tyre. Ne duhet të jemi aleatët e tyre të besueshëm e të gatshëm. Vetëm të bashkuar, me sindikata të fuqishme dhe me mbështetje të gjerë shoqërore dhe institucionale zmbrapsen tendencat e punëdhënësve oligark për të shfrytëzuar dhe heshtur punëtorët. Më shumë bashkim, më shumë organizim, më shumë fuqi”, shkruan Kurti.

Më tej ai ka thënë se gjatë 12 muajve të fundit kanë dëshmuar kujdes të shtuar për gjendjen e punëtorëve në shoqërinë tonë.

“Inspektorati Qendror i Punës për të mbikëqyrur të drejtat e punëtorëve në vitin 2023, në krahasim me vitin 2020, ka trefishuar numrin e inspektimeve, duke realizuar 8,114 inspektime. Kemi dyfishuar buxhetin për Inspektoriatin i cili përgjatë viteve 2022 dhe 2023 përmes procedurave të rekrutimit ka dyfishuar numrin e inspektorëve të punës. Sivjet numri i inspektorëve arrin në 150 duke përmbushur kësisoj premtimin tonë për pesëfishim të numrit të inspektorëve të punës. Filluam mandatin me masa që nxisin deklarimin e punëtorëve sikurse masa 1.2 e Pakos së Ringjalles Ekonomike. Sepse një punëtor i padeklaruar e pa kontratë, nuk mund të kërkojë as realizimin e të drejtave që i takojnë. E punën për deklarimin e punëtorëve e intensifikuam me nisjen e inspektimeve të përbashkëta të Inspektoratit të Punës dhe Administratës Tatimore të Kosovës ku vetëm dy muajt e parë janë deklaruar mbi 10 mijë punëtorë. Në proces është edhe rregullimi i deklarimit të punëtorëve sezonalë dhe në sektorin e amvisërisë, problem ky disa vjeçar, duke u siguruar kështu që të kemi pagesë të kontributeve pensionale dhe trajtim të dinjitetshëm në të gjithë sektorët e ekonomisë”, ka shkruar ai.  

Sipas tij, për rreth 100 mijë punëtorë të sektorit privat miratuan edhe projektligjin që mundëson rritjen e pagës minimale, dhe sic shkruan ai ‘zbatimi do të fillojë sapo ligji i votuar në Kuvend të Republikës të zhbllokohet nga Gjykata Kushtetuese’.

“Kemi ndërmarrë një sërë masash të punësimit të cilat rezultuan në shtim të punësimit për 70 mijë vende pune në tri vitet e para të qeverisjes. E krahas masave për punësim, morëm edhe masa për rritjen e pagave. Në sektorin privat subvencionuam rritjen e pagës për 17 mijë punëtorë, kurse në sektorin publik vitin e kaluar ngritëm pagat për 17% mesatarisht e sivjet edhe për 5% tjera. Për rreth 100 mijë punëtorë të sektorit privat miratuam edhe projektligjin që mundëson rritjen e pagës minimale, dhe zbatimi do të fillojë sapo ligji i votuar në Kuvend të Republikës të zhbllokohet nga Gjykata Kushtetuese”.

Ndryshe, sot në Kosovë për 1 Maj, janë mbajtur disa protesta nga sindikatat me anë të cilave kërkohet ndërgjegjësim për të drejtat e punëtorëve

https://kosovapress.com/qindra-punetore-i-bashkohen-marshit-te-sbashk-ut-kerkohet-dialog-social

https://kosovapress.com/1-maji-ne-germi-ja-cfare-thone-qytetaret-per-te-drejtat-e-punetoreve

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025