Ylli i ri i Spanjës, Lamine Yamal, ka deklaruar se gjysmëfinalja e Kupës së Botës ndaj Francës është ndeshja më e rëndësishme që ka luajtur ndonjëherë, duke theksuar se nuk ndien aspak presion para përballjes së madhe në SHBA.
Në konferencën për media, futbollisti i Barcelonës tha se po jeton një ëndërr dhe se është i lumtur që futbolli i ka dhënë mundësinë të njihet në mbarë botën. “Është e mahnitshme që futbolli më ka dhënë mundësinë të njihem në vende si Chattanooga. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë të ecja nëpër një qytet në Shtetet e Bashkuara dhe të më njihnin. E vlerësoj shumë vendin nga vij”, u shpreh ai.
19-vjeçari theksoi se është plotësisht i qetë para gjysmëfinales. “Nuk ndiej presion. Luaj në mënyrën që di dhe kur jep gjithçka në fushë, nuk ke arsye të ndiesh presion. Do të jetë një ndeshje fantastike, shumë e fortë, sepse të dyja ekipet dinë të sulmojnë dhe të mbrohen”, tha Yamal.
Sulmuesi pranoi se deri tani ka shënuar vetëm një gol në turne, por tha se kjo nuk e shqetëson. “Çdo turne është i ndryshëm. Nuk është faji i trajnerit që nuk kam shënuar pesë gola. Për mua ka rëndësi që skuadra po fiton. Shpresoj që ndaj Francës të arrij të shënoj”, theksoi ai.
Në fund, Yamal foli edhe për vëllain e tij, i cili është bërë viral gjatë Kupës së Botës. “Ai nuk e kupton gjithë këtë vëmendje. Thjesht sillet si gjithmonë në shtëpi. Kur kamera e kap, ai bën budallallëqe dhe mua më argëton ta shoh”, përfundoi talenti spanjoll.